Rend dhe Ligj

Goditi me grusht Berishën, Gert Shehu arrestohet për ‘plagosje me dashje’. Në spital, me pranga në duar

Gazeta Si - Autorit të sulmit fizik ndaj Sali Berishës gjatë protestës së të martës, është arrestuar në ambientet e Spitalit të Traumës, ku po kurohet pas plagëve në trup.

Mësohet se Gert Shehu nuk ka pranuar që të japë deklarime të plota rreth asaj që ka ndodhur gjatë zhvillimit të protestës së opozitës. 31-vjeçari ka thënë se “do të flasë në një moment të dytë”.

"Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar", - njoftoi këtë të martë Policia e Tiranës.

Ndaj Gert Shehut, është ngritur akuza "goditje për shkak të detyrës" dhe "plagosje me dashje".

I riu akuzohet për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Nga fotografia ku shfaqet me pranga në duar, duket se trupi dhe fytyra e tij e ënjtur nga hematomat e pësuara.

Gert Shehu, u shpëtoi nga duart truprojave dhe arriti të godiste me grusht kreun e PD-së, Sali Berisha, teksa ky i fundit po marshonte për në bulevard.

Ngjarja ndodhi në rrugën që lidh selinë e Partisë Demokratike me bulevardin Dëshmorët e Kombit. 

Menjëherë kanë ndërhyrë truprojat e Berishës  dhe simpatizantët të Partisë Demokratike, të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e 31-vjeçarit.

Më pas kreu i opozitës Sali Berisha edhe pse me shenja në fytyrë, vazhdoi rrugën drejt protestës aty ku mbajti edhe fjalim.

Burime në rrugë jo zyrtare bëjnë me dije se, gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari ka deklaruar se pasi ka dalë nga banesa ka shkuar në Xhami e më pas është drejtuar në selisë e partisë demokratike për të pritur daljen e kreut të saj Sali Berisha për ta qëlluar me grusht.

Ndërkohë, sipas një vërtetimi mjekësor rezulton se Gert Shehu që prej vitit 2018 vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Kreu i demokratëve Sali Berisha ka thënë se Shehu është agjent i Policisë Kriminale. Por kjo është mohuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka hedhur poshtë akuzat  duke thënë se Shehu nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i asnjë strukture të Policisë së Shtetit.

Kreu i demokratëve Sali Berisha ka thënë se Shehu është agjent i Policisë Kriminale.

Por kjo është mohuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Shehu nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i asnjë strukture të Policisë së Shtetit.

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj liderit të Partisë Demokratike dhe ka kërkuar që autori të përballet me forcën e ligjit.

Ndërsa ish-kreu demokrat Lulzim Basha theksoi se dhuna është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë është shprehur e skandalizuar për sulmin fizik ndaj Berishës teksa ka kërkuar nga autoritetet ta hetojnë incidentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë