Gazeta Si- Katër persona u arrestuan në Fier, të akuzuar për trafikim armësh dhe lëndësh narkotike.
Të arrestuarit janë: Boran Buzi – 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Niko Osma – 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;
Qamil Shurdhi – 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;
Besim Buzi – 33 vjeç, banues në Divjakë.

Ndërkohë u procedua në gjendje të lirë një 51-vjeçar nga fshati Peshtan i Fierit, i arrestuar më parë për kundërshtim të efektivëve të policisë.
Ata akuzohen se trafikonin armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm, disa prej tyre edhe nga Kosova, për t’i shitur më pas në Shqipëri, për veprimtari kriminale.
Nga kontrollet e ushtruara në disa banesa, magazina dhe ambiente të tjera, u sekuestruan 4 mijë bimë narkotike, 2 mijë të mbjella në parcelë, 2 mijë në kubikë, u sekuestruan 3 automatikë, 2 armë gjahu dhe 600 fishekë.
Po ashtu, u sekuestruan 5 mijë fara kanabisi, 2 radio policie, 1 uniformë policie, 1 maskë plastike, 3 automjete dhe 10 celularë.

Përfaqësues të prokurorisë dhe policisë së Fierit bënë me dije se hetimet për këtë grup zgjatën për gjashtë muaj.
Përveç Fierit e Lushnjës, grupi vepronte dhe jashtë këtij qarku, në Durrës, Shkodër e Kukës. Siç bëri me dije kreu i policisë së Fierit, Skënder Hita, në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në Morinë.
“Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, për t’i shitur më pas tek individë të përfshirë në veprimtari kriminale. B. B dhe Q. Sh. ishin organizatorët e grupit. Anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve. Njëkohësisht, kryetari i grupit, B. B., organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit”, sqaroi Hita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.