Rikthehen përplasjet mes qeverisë dhe artistëve sa i takon godinës së Teatrit Kombëtar. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e tokës në pronësi të Ministrisë së Kulturës, një grup artistësh iu drejtuan dje godinës së Ministrisë, për të dorëzuar një kërkesë për zbatimin e këtij vendimi. Por artistët nuk u lejuan të futen brenda dhe rojet u mbyllën derën, gjë që solli reagime të ashpra në rrethin e artistëve.
Disa orë pasi Aleanca për Teatrin u paraqit në Ministrinë e Kulturës dhe tensionit që u krijua reagoi edhe ministrja Elva Margariti.
Ministrja Margariti shprehu keqardhje për sjelljen “e përfaqësuesve të një grupi” siç e quan ajo, të cilët u paraqitën te godina e Ministrisë së Kulturës, për të depozituar një kërkesë.
Ministrja thotë se dera e Ministrisë është e hapur për këdo që di të trokasë, por duke respektuar institucionet.
“Keqardhje për gjuhën dhe sjelljen e përfaqësuesve të një grupi, që u paraqit sot te dera e Ministrisë pa asnjë kërkesë për takim. Në Ministrinë e Kulturës priten e përcillen me respekt të gjithë ata që dinë të trokasin, duke respektuar institucionin, qoftë kur kanë ide e projekte për të diskutuar, qoftë kur kanë ankesa apo kritika për të adresuar. Nuk ndodh që t’i mbyllet dera askujt, sepse respekti i ndërsjellë është zanafilla e detyrës institucionale dhe qytetare”, shkruan ministrja Margariti në rrjetet sociale.
Sa për Teatrin Kombëtar, Ministrja thotë se “tanimë ka një vendim shumë të qartë të Gjykatës Kushtetuese, dhe ai vendim është vetëm për t’u zbatuar nga institucionet dhe për t’u respektuar nga të gjithë”.
Ndërsa rojet u mbyllën derën në orët e paradites së djeshme (28 korrik), anëtarët e Aleancës për Teatrin Kombëtar thanë se kjo është e paprecedentë, se ata do të hynin brenda duke respektuar rregullat me vetëm dy përfaqësues.
Avokatja dhe aktivistja Adriana Kalaja tha se për këtë çështje do të ketë një kallëzim në prokurorinë e Tiranës.
“Kërkojmë që Ministria e Kulturës të marrë përgjegjësi për Teatrin Kombëtar, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, që Ministria ka përgjegjësi për truallin e Teatrit. Ne do të bëjmë kallëzim për këtë situatë sot, në çdo institucion është e lejuar hyrja e qytetarëve”, u shpreh Kalaja.
Aktori Neritan Liçaj tha se është e papranueshme që vetë institucionet që duhet të zbatojnë ligjin e shkelin atë.
“Nuk del një përfaqësues i Ministrisë dhe dalin rojet, në një kohë kur nuk kanë të bëjnë me njerëz të armatosur, e kanë detyrë që të na presin. Unë nuk pres shumë nga ministrja me thënë të drejtën, se iu prishën dy Teatrot Kombëtare dhe nuk u ndje fare”, u shpreh aktori Neritan Liçaj.
Ndërkohë, aktori i mirënjohur, Mehdi Malkaj, tha se ai sot ka marrë vesh që është ”krimineli i fundit” në Tiranë, ndërsa e ka quajtur Elva Margaritin jo ministre të Kulturës, por të burgut.
Gjykata Kushtetuese më 2 korrik dha vendimin për Teatrin Kombëtar, duke pezulluar ndërtimin e të riut deri në zbardhjen e plotë të vendimit. Në këtë mënyrë Kushtetuesja pranoi pjesërisht kërkesën e Presidentit Meta, i cili më herët kërkoi rrëzimin e ligjit special për Teatrin; shpalljen e paligjshme të prishjes së Teatrit ekzistues dhe rikthimin e tokës në pronësi të ministrisë së Kulturës.
Krahas rrëzimit të ligjit special, me vendimin e datës 2 korrik, Gjykata Kushtetuese pranoi të rrëzojë edhe vendimin për kalimin e pronësisë së tokës ku ishte ndërtuar Teatri i vjetër nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës. Me këtë vendim, toka do të rikthehet në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Gjithashtu, vendimi detyron autoritetet që të mos vijojnë me ndërtimin e Teatrit të ri deri në zbardhjen e plotë të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



