Lajme

Godet mjeken në spital, arrestohet 65-vjeçari në Lezhë

Një tjetër rast dhune është shënuar në spitalin e Lezhës. Paraditen e sotme një shtetas 65-vjeçar ka goditur mjeke e urgjencës në ambientet e spitalit.
Policia, sapo ka marrë njoftimin nga urgjenca për incidentin në fjalë ka shkuar menjëherë ku ka bërë shoqërimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. P. 65 vjeç.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Më herët është shënuar një tjetër rast dhune në këtë spital, ku u rrah barbarisht mjeku dermatolog Zef Doda nga të afërm të një pacienti. Pas dëmtimeve të shumta mjeku Doda u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë përmes njoftimeve zyrtare dënoi ashpër dhunën ndaj bluzave të bardha si dhe propozoi ndryshime në kodin penal, që veprime të tilla të vendosen si vepra penale.
“Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në kodin penal për të vendosur ekskluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale, paralelisht me vendosjen e një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve dhe riorganizimin e sigurisë në spitale”, shprehej ministria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë