Opinion

Gocat e Dubait dhe ironia e dëmshme për ligjin që ndëshkon seksin jashtë Shqipërisë

Ndërsa shoqëri u bë objekt talljeje, neni i Kodit Penal që ndalon organizimin e udhëtimeve për marrëdhënie intime jashtë vendit ka brenda seriozitetin e pasojave ligjore.

Në Shqipëri, miratimi i nenit që ndëshkon organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale jashtë vendit ka shkaktuar një kombinim të habitshëm reagimesh. Sipas ligjit, kushdo që organizon ose lehtëson një udhëtim me qëllim kryerjen e marrëdhënieve intime mund të përballet me 2 deri në 6 vjet burg, edhe nëse gjithçka ndodh jashtë territorit dhe nuk ka pasur pagesë apo shfrytëzim.

Megjithëse ligji synon të parandalojë abuzimin dhe trafikimin seksual, shumë komentues në rrjetet sociale  apo dhe media tradicionale nuk e kanë marrë seriozisht. Ironia, meme-t dhe komentet satirike kanë mbushur faqet online, duke e bërë këtë nen të duket absurd ose i ekzagjeruar, veçanërisht për rastet ku individët veprojnë në mënyrë konsensuale dhe jashtë vendit.

Por pas ironisë fshihet një realitet i rreptë: ligji ka implikime reale për qytetarët dhe bizneset që mund të përfshihen në organizimin e udhëtimeve private. Nga perspektiva morale, ky nen ngre një dilemë të qartë. Shteti ka përgjegjësinë për të mbrojtur shoqërinë nga shfrytëzimi dhe abuzimi, por ndërkohë kriminalizimi i zgjedhjeve private prek lirinë personale dhe privatësinë, duke hapur debate mbi proporcionalitetin e dënimit.

Përvoja ndërkombëtare tregon se shumica e vendeve moderne nuk ndëshkojnë marrëdhënie private të konsensuara jashtë vendit, përveç rasteve të shfrytëzimit, prostitucionit të detyruar ose trafikimit. Edhe vendet me ligje më të rrepta morale zakonisht përdorin masa administrative ose gjoba, duke shmangur ndërhyrjen e panevojshme në jetën private dhe duke ruajtur të drejtat e individit.

Në Shqipëri, ky nen mund të shkaktojë debate mbi praktikën dhe zbatimin e tij. Si mund të provohet qëllimi i udhëtimit? A janë dënimet proporcionalë për veprime që ndodhin jashtë vendit? Pyetjet mbeten të hapura, por reagimet ironike online nuk e zbehin seriozitetin e pasojave ligjore.

Një tjetër realitet i dukshëm është se shumë shtetas shqiptarë, veçanërisht femra, udhëtojnë jashtë vendit, kryesisht drejt destinacioneve luksoze si Dubai, për të fituar të ardhura nga marrëdhënie konsensuale. Ky aktivitet, i njohur si turizëm seksual ose “sugar tourism”, është në rritje dhe shpesh organizohet përmes rrjeteve sociale ose agjencive private.

Rritja e këtij turizmi duket se  ka nxitur ndërhyrjen e shtetit, duke vendosur kufij të qartë mes lirisë personale dhe mbrojtjes së shoqërisë. Për qytetarët dhe bizneset që merren me organizimin e udhëtimeve private me qëllime intime, kjo është një thirrje  se do ndëshohesh. Ndërsa mund të duket një mundësi fitimi, realiteti ligjor mund të kthehet shpejt në rrezik penal dhe reputacional, duke treguar se jo çdo ide e thjeshtë ose luksoze është e lejueshme.

Në përfundim, ky nen ka më shumë peshë se ironia që ka shpërthyer online. Ndërsa komentuesit vazhdojnë të qeshin me dënimin dhe të bëjnë meme, realiteti ligjor mbetet serioz, dhe pasojat mund të jenë të rënda për ata që preken. Ky kontrast – midis ironisë së publikut dhe seriozitetit të ligjit – e bën këtë çështje një debat që në mos ka nisur duhet të nis në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë