Rend dhe Ligj

Gledis Nano merr zyrtarisht drejtimin e Policisë së Shtetit: Do të çojmë përpara reformat

Ish-kreu i Antiterrorit, Gledis Nano ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ceremonia e kalimit të detyrës, nga drejtori i dorëhequr Ardi Veliu te Gledis Nano, u zhvillua këtë të enjte në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Gjatë fjalës së tij, Nano u angazhua se do të çojë përpara sfidat e Policisë së Shtetit dhe do të forcojë bashkëpunimin me qytetarët.

“Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por angazhim i frymëzuar nga babai im. Në këto dy dekada kam kuptuar se ky institucion është pjesë kryesore e jetës time që kërkon angazhim të lartë në çdo detyrë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Sfidat e arrira nga paraardhësi im Ardi Veliu kanë nevojë të çohen përpara”, – tha ai.

Prioriteti i kryepolicit të vendit, “do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend. Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitet të shtuara. Unë ju garantoj se me angazhimin tim do vazhdoj më tej me çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit. Ndaj kërkoj angazhimin tuaj maksimal sipas betimit që të gjithë ne kemi bërë”, deklaroi Gledis Nano.

Ndërsa në fjalën e tij të lamtumirës, Veliu tha ndër të tjera se Policia e Shtetit është sot më mirë se dje. Ai falënderoi tre ministrat e Brendshëm me të cilët punoi, kryeministrin Rama për mbështetjen si dhe të gjithë punonjësit e policisë.

“Pavarësisht se të verbuarit kërkojnë të hedhin baltë mbi punën. Policia nuk fillon dhe mbaron me mua. Ju falënderoj pa masë për ndihëm që më keni dhënë. Dua të falënderoj familjen time dhe ju uroj të gjithëve juve suksese dhe drejto Gledisit shumë fat”, u shpreh Veliu.

Ministri Bledi Çuçi, u shpreh se Nano do ta ketë shumë të vështirë punën, për shkak të “niveleve ku ka arritur performanca e Policisë së Shtetit për të arritur ta çojë në nivele edhe më të larta”.

Gjatë fjalës së tij, Çuçi foli me superlativa për punën e bërë në këto katër vite nga Ardi Veliu. Sipas tij, ish-drejtori i Policisë së Shtetit e ka çuar policinë në nivelet më të mira që ajo ka pasur në 30 vite të tranzicionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë