Rend dhe Ligj

Gledis Nano emërohet drejtori i ri i Policisë së Shtetit, zëvendëson Ardi Veliun e dorëhequr

Gledis Nano është emëruar drejtori i ri i Policisë ë Shtetit thuajse 24 orë pas dorëheqjes së Ardi Veliut nga kjo detyrë. Kandidatura e Nanos është propozuar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuci  dhe këtë të mërkurë është miratuar nga kryeministri Edi Rama, duke pasur një mbështetje të fortë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Emërimi mban firmën e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, pasi kryeministri ndodhet në Slloveni, në Samitin e Be me vendet e Ballkanit.

Nano ka mbajtur postin e Drejtorit të Drejtorisë për Luftën ndaj Terrorizimit në Policinë e Shtetit. Më herët ai ka qenë me detyra drejtuese policore në komisariate dhe drejtorinë e Policisë së Tiranës, kryesisht në sektorin e anti-Terrorit.

Nano u bë i njohur për publikun disa muaj më parë, kur shkoi në kampet e refugjatëve në Siri dhe arriti të nxjerrë prej andej 19 shqiptarë, duke i sjellë në Shqipëri në një operacion disaditor, ku qëndroi vetë në terren.

Pas operacionit që u konsiderua i rrezikshëm, Nano u kthye në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ai ka qenë një prej zyrtarëve të Policisë së Shtetit më të përfshirë në çështjen e riatdhesimit të familjarëve të luftëtarëve shqiptarë të ISIS, të mbetur në Siri.

Gledis Nano gjatë operacionit të shpëtimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampet e Sirisë

Për këtë përpjekje, në muajin gusht ai u vlerësua edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim me një çmim, duke pasur kështu edhe përkrahje ndërkombëtare.

Gjatë gjithë drejtimit dhe funksioneve të tij në Policinë e Shtetit, Nano nuk është akuzuar nga opozita, pasi ka mbajtur gjithnjë një profil profesional dhe ka qëndruar larg politikës.

Në shkurt 2020, Nano i kaloi të gjitha shkallët e Vettingut, duke rezultuar pa probleme me pasurinë, në aspektin moral dhe atë profesional, duke marrë dritën jeshile nga Komisioni i Jashtëm i Kualifikimit në polici për të vijuar detyrën.

Gledis Nano u emërua në detyrën e  kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e Policisë së Shtetit.

Gledis Nano me disa nga fëmijët e shpëtuar në Siri

Në vitin 2013, ka kryer hetimet e dosjes së “Imamëve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin.

Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit në janar 2020 të diplomatëve iranian nga Shqipëria.

Për vetë postin e rëndësishëm që ai mban në krye të Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano është trajnuar gjatë të gjithë karrierës së tij nga agjencitë më prestigjioze ligjzbatuese perëndimore dhe në 2017-n është  diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI në Quantico Virginia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë