Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ditën e sotme u shqyrtua ankimimi i Komisionerit Publik për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, e cila dha dorëheqjen duke iu shmangur procesit të vettingut.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmon vendimin e KPK për ish-gjyqtaren Mirela Fana.
Sipas dispozitave të Kushtetutës, Mirela Fana nuk mund të emërohet gjyqtare, prokurore ose në një nga institucionet e drejtësisë për 15 vjet.
Trupa gjykuese përbëhet nga Natasha Mulaj, relatorja Rezarta Schuetz dhe anëtarë: Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo.
Gjatë seancës, gjyqtarja ka vendosur të mos jetë e pranishme në seancë dhe as të mos përfaqësohet nga një avokat.
Gjyqtarja Mirela Fana dha dorëheqjen nga posti në Gjykatën e Lartë në janar të vitit të shkuar, pak përpara nisjes së procesit të Vettingut, me një akt shkresor pranë presidentit.
Sipas Komisionerit Publik, Fana ka dhënë dorëheqjen për studime të thelluara akademike dhe paçka se është dorëhequr, ajo gëzon sërish statusin magjistrate.
“Me këtë status zonja Fana përfiton çdo të drejtë. Ajo gëzon statusin e gjyqtarit dhe i nënshtrohet procesit të rivlerësimit. Ajo ka bërë vetë dorëheqjen si gjyqtare në Gjykatën e lartë, por jo dorëheqje nga statusi i magjistratit”, ka deklaruar Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.
Po ashtu Komisioneri Publik tha se kur të mbarojë mandatin KPK, zonja Fana ka të drejtën të paraqesë kërkesë për t’u rikthyer në sistem, këtë herë si gjyqtare e Apelit.
Në seancën e 16 korrikut sërish ish-gjyqtarja nuk ishte e pranishme në seancë dhe nuk kishte asnjë përfaqësues ligjor. Gjë kjo që e detyroi KPA të shtyjë vendimin për të në ditën e sotme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




