Lajme

Gjyqtarja Margjeka mbetet në arrest shtëpie, e tensionuar para nisjes së seancës

Gjykata la në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie për gjyqtaren Mimoza Margjeka, e arrestuar për korrupsion dy ditë më parë, bashkë me të shoqin, drejtues departamenti në Universitetin e Durrësit, i cili është në arrest me burg. Ajo akuzohet për  6 mijë euro ryshfet për të liruar një trafikant klandestinësh nga burgu.

Seanca e gjyqtares së hetuar nga SPAK, Mimoza Margjeka në Gjykatën e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi me tension.

Në fillim mbërritën dy të burgosurit, ndërsa gjyqtarja me vonesë. Ajo u  shfaq shumë e tensionuar në seancë përpara trupës, por edhe para se të hynte në sallë, ku pati një komunikim me gazetarët.

Avokati Skënder Demiraj, edhe ky i  arrestuar për të njëjtën cështje, ka shpërthyer në seancën me dyer të mbyllura duke theksuar se nuk ka marrë asnjë qindarkë as për gjykatën dhe as për veten e tij.

Gjyqtarja Margjeka tha se do ta kalojë Vettingun dhe se bashkëshorti i saj është në burg padrejtësisht, pa asnjë provë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë