Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha, ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Seanca dëgjimore me Vjerdhën drejtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.
Sipas KPK-së, Vjerdha u është nënshtruar të 3 komponentëve të vettingut, pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI ka sjellë një raport ku konstaton se ka deklarim të saktë në përputhje me ligjin, nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit, ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë.
Komisioni nuk ka konstatuar parregullsi lidhur me pasuritë, pasi subjekti i ka përftuar me trashëgimi kryesisht nga nëna e tij. Por komisioni ka konstatuar disa mospërputhje në lidhje me sipërfaqet e deklaruara nga subjekti dhe nga kontrata e shkëmbimit që i ka dhënë nëna.
Fuat Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Për më shumë se një dekadë, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa në prill të vitit 2005 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit Shkodër.
Paralelisht me punën si gjyqtar, Vjerdha ka ushtruar për pak vite aktivitetin e mësimdhënies si dhe ka qenë pjesë e trupës së arbitrimit në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Ai drejton Gjykatën e Apelit të Shkodrës prej vitit 2014.
Vjerdha rezulton se është një nga 2 gjyqtarët që votuan kundër heqjes së dënimit me burg përjetë ndaj Dritan Dajtit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



