Politike

Gjyqtarët kërkuan rritje pagash/ Kushtetuesja i përgjigjet Ramës dhe Berishës: Jemi të pavarur në vendime

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas qëndrimeve kritike të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Sali Berisha lidhur me kërkesën e unionit të gjyqtarëve për rritje page me 700 euro.

Gjykata Kushtetuese në reagimin e saj garanton se ushtrimi i funksionit të saj kushtetues është i pandikuar nga palët politike apo veprimtaritë dhe vendimmarrjet e tyre.

Më tej thekson se janë të papranueshme ndikimet apo përpjekjet që vënë në dyshim autoritetin dhe reputacioni e saj, gjë e cila cenon balancën mes pushteteve.

“Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, kryeministri Rama e cilësoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të depozituar në Kushtetuese për rritje pagash si skandaloze.

Në një reagim në X, Rama i bëri thirrje Kushtetueses të mos “lajthisë” duke përsëritur vendimin e mëparshëm për të cilin qeveria heshti sipas tij për respekt të pavarësisë së drejtësisë.

Edhe kreu i PD Sali Berisha doli kundër kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se pagat e gjyqtarëve sot janë më të lartat në Ballkan dhe sipas tij, kjo gjë u ka rritur oreksin.

Duke ndjekur praktikën e një precedenti të kaluar ku fituan gjyqin për njësimin e pagave sipas nivelit të Qeverisë, pas padisë në Kushtetuese, ata kërkojnë për herë të dytë me të njëjtën rugë proceduriale rritjen e pagave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë