Lajme

Gjyqtarët e Tahirit në listën e radhës së Vettingut

Shorti ka përcaktuar tre emrat e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që do të gjykojnë dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka është trupa gjykuese përballë të cilës do të dalë ish-ministri i Brendshëm për t’u mbrojtur ndaj akuzave të ngritura kundër tij nga ana e Prokurorisë.

E gjithë trupa e gjyqtarëve nuk ka kaluar ende në sitën e vettingut. Ata janë në listën e pritjes të miratuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 15 janar të këtij viti.

Saimir Tahiri akuzohet për trafik lëndësh narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Së bashku me të akuzohen edhe tre ish-drejtues të lartë të Policisë së Vlorës, të cilët janë shpallur në kërkim.

Pas marrjes si i pandehur, ish-ministri Tahiri kërkoi që procesi ndaj tij të mos zvarritej më.

“Unë kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritjeje e pafund. Prokuroria pretendon atë që pretendon, ndërsa unë kam shumë më shumë për të pretenduar sesa Prokuroria, kështu që nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht”, tha ai.

I bindur në pafajësinë e tij, ish-ministri i Brendshëm vendosi në gojën e tij dy fjalët “kampion” e “kurban”, që më herët janë shqiptuar nga Edi Rama.

“Unë jam prap ministri kampion, të jeni të bindur për këtë. Atë që kam bërë për Policinë e Shtetit nuk do ta zhbëja kurrë. Nuk është e kollajtë që të bëhem unë kurban”, tha Saimir Tahiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë