Drejtësia

Gjyqi për Belerin, më 13 shkurt pretenca e SPAK. Specialistja e Drejtorisë së Burgjeve dëshmon nëse ka qenë i dënuar

Gazeta Si – Seanca e sotme gjyqësore ndaj Fredi Belerit, është shtyrë për në 13 shkurt, datë kur SPAK pritet të shpallë pretencën për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës i dyshuar për korrupsion në zgjedhje.

Seanca e radhës në GJKKO për Belerin do të jetë në orën 14:00, ku pritet që SPAK të japë konkluzionet për hetimin ndaj tij.

Në seancën e sotme, dëshmoi specialistja në Drejtorinë e Burgjeve, Anila Paci, lidhur me dëshminë e penalitetit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Në dëshminë e saj, Paci hodhi poshtë pretendimin e Belerit se është falsifikuar dëshmia e penalitetit të tij.

Sipas saj, “kur vijnë kërkesa individuale  dhe personi e bën kërkesën vetë, për shkak të rehabilitimit e japim: i padënuar. Kur e kërkojnë institucionet edhe pse kanë akses, ne u japim të gjitha të dhënat e regjistrit të gjendjes gjyqësore, pra që është i dënuar”.

Avokati i Belerit, Eugen Gjyzari tha për mediat se i gjithë procesi është i parregullt dhe po tejzgjatet në mënyrë që çështja të mos shkojë në Strasburg.

Ai komentoi po ashtu edhe mbi dëshminë e specialistes në Drejtorinë e Burgjeve, Anila Paci. Sipas avokatit ajo nuk ka qëndrueshmëri në deklaratat e saj para trupës gjykuese.

“E tha dhe specialistja, se ai është i padënuar, është rehabilituar. Ka pasur një dënim kur ka qenë i ri, një njeri nuk mund të rri për 20 vite. Sot procesi pati edhe një dimension tjetër të paligjshme. I kërkon informacion në lidhje me pagesën e Arsen Ramës. Jo, padyshim e mbajnë sekret. Shpagimi i dëshmitarit është vepër penale. E bëjnë procesin të paligjshëm. Nuk kanë guximin të marrin asnjë prove në fund. Duket qartë se duan të dënojnë.  Kur je i dënuar të jep historikun. Se pranoi gjykata nuk pranon asgjë tonën. Te gjykata Kushtetuese gjithë vëmendja është te GJK.’- tha avokati, Geni Gjyzari.

Tre ditë më parë, Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Belerit për t’u betuar si kreu i bashkisë Himarë. Beleri akuzohet se ka blerë vota në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ndërkohë, mesditën e sotme, disa mbështetës së Belerit protestuan para Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon drejtësi për procesin ndaj tij.

Protesta vjen pas vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm që rrëzoi kërkesën e Belerit për t’u betuar. Pas këtij vendimi, në një deklaratë për media, Beleri tha se në Gjykatën Kushtetuese ka depozituar disa kërkesa dhe pret që t’i marrë në shqyrtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë