Drejtësia

Gjyqi ndaj Mediut, familjarët e viktimave të Gërdecit dëshmojnë në GJKKO: Një krim shtetëror

Gazeta Si - Në seancën e parë të gjyqit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”, janë pyetur 11 dëshmitarët e parë.

 Në GJKKO, edhe pse ishin thirrur 15 persona nga gjykata, seanca u shty në datën 27 tetor ora 12:00.

Çifti Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, prindërit e Erisonit që u vra nga shpërthimi i municioneve, 15 marsin e vittit 2008 dëshmuan në seancë.

Zamira Durda kujtoi edhe njëherë momentet se si shpërtheu fabrika e demontimit dhe se si ajo e shqetësuar telefonoi bashkëshortin e saj dhe më pas u largua, teksa i biri kishte dalë të luante me shokët.

Ajo kujtoi se fëmija ishte larguar disa herë për të çuar ushqim te të afërmit që punonin në fabrikën e demontimit.

Avokatët mbrojtës pyetën disa herë dëshmitarët nëse e kanë parë ndonjëherë ish-ministrin e Mbrojtjes në fabrikën e demontimit.

Dëshmitarët u përgjigjet se nuk e kanë parë, ndërsa shtuan se predhat dhe municionet transportoheshin me forca ushtarake dhe kamion të ushtrisë.

Zamira Durda akuzoi se ky është një krim shtetëror dhe se djalin e vrau ushtria. Ajo i la gjykatësve në sallë dy fletore të djalit të saj të ndjerë dhe kujtoi se i biri kishte qenë për herë të fundit në shkollë në 13 mars 2008 dhe kërkoi që vendimi i gjykatës të shkruhej në këto fletore të mbetura në mes, ashtu si jeta e djalit të saj.

Një tjetër dëshmitare tha se në fabrikë nuk kishte rregulla, nuk kishte firmosur asnjë kontratë dhe paratë i merrte çdo dy javë. Ajo kujtoi se për t’u larguar nga fabrika pas shpërthimit, iu desh të shkelte mbi trupat e viktimave.

Në gjykatë dëshmoi edhe roja Fejzi Shehu, ish-roje në fabrikën e demontimit, i cili tha se kishte vetëm 2 ditë që punonte aty, duke zëvendësuar në këtë detyrë kolegun e tij.

“Ditën kur ndodhi ngjarja doli flakë nga një karrocë e mbushur me barut që ndodhej brenda fabrikës ku demontoheshin armët”.

Procesi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm duke shfuqizuar vendimin e marrë me herët për gjykim të shkurtuar.

Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe shpërdorim detyre” në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë