Kosova

Gjyqi ndaj ish krerëve të UÇK-së po e zhyt Kosovën në krizë politike

Dalja e ish-udhëheqësve të UÇK-së në bankën e të akuzuarve  në Hagë duket se është duke shkaktuar një krizë politike në Kosovë, pavarësisht deklaratave të kryeministrit Avdullah Hoti se qeveria vazhdon ta ketë mandatin për të udhëhequr.

Por mbajtja në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë e ish-presidentit Hashim Thaci dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës ka rritur thirrje për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, madje edhe për zgjedhje të reja, të cilat do vinin më pak se gjashtë muaj pasi qeveria e re mori mandatin.

Në shenjë solidariteti me Kadri Veselin, PDK njoftoi sot se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës, deri në javën tjetër, duke ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme.

Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk synon të ndërhyjë në punën e drejtësisë dhe as të komentojë punën e Dhomave të Specializuara, por se sipas tij, e gjithë skena politike e Kosovës duhet të “reflektojë për zhvillimet e fundit”.

Partia Demokratike e Kosovës është partia e tretë për nga numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës por nuk është pjesë e koalicionit qeverisës. Vendimi i saj për të mos marrë pjesë në punën e legjislativit erdhi ndërkohë që Kuvendi i Kosovës do të votonte për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pasojat e pandemisë.

“PDK-ja nuk do të marrë pjesë në agjendën e Kuvendit të Kosovës. Ky hap nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjendën tonë të zakonshme, siç rëndom ndodhë, neve na duhet reflektim dhe unitet përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme”, tha Tahiri.

PDK-ja aktualisht po udhëhiqet nga Enver Hoxhaj, që është emëruar ushtrues detyre i kësaj partie, pasi Veseli po përballet me aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Tahiri vlerësoi se akuzat kanë pas pasur efekte të rënda në rrafshin socio-politik dhe atë institucional.

“Ato kanë prekur edhe rrafshin e kujtesës tonë kolektive si provokim për shtrembërimin e të vërtetës që e dimë të gjithë. PDK beson fuqishëm në luftën e drejtë të UÇK-së dhe kauzën e saj për liri”, shtoi Tahiri.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Thaçi, Veseli dhe Krasniqi kanë deklaruar se janë të pafajshëm ndaj gjitha pikave të akuzës në paraqitjet e tyre të para në Gjykatë. Ndërsa, Rexhep Selimi, pritet të paraqitet të mërkurën para gjyqtarit të Dhomave të Specializuara.

Vetë kryeministri Hoti është i bindur se qeveria do të mbijetojë dhe ta çojë përpara procesin e dialogut dhe të mbajë të unifikuar koalicionin qeverisës, duke thënë se kompentencat kushtetuese për të udhëhequr vendin dhe dialogun.

“Le të ankohen sa të duan në skenën politike, Kosova nuk do të mbetet e izoluar për aq kohë sa unë jam kryeministër”, thotë Hoti në një intervistë televizive. “Dialogu nuk duhet të ndërpritet sepse nuk është në interesin e Kosovës. Unë besoj se ne i shërbejmë më së miri shtetësisë së Kosovës edhe atyre njerëzve që janë në Dhomat e Specializuara, duke treguar maturinë shtetërore për të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut.

Sipas tij, ajo që duhet të bëjnë partitë politike tani është të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. “Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar”, shprehet kryeministri.

Pavarësisht thirrjeve të një sërë aktorëve politikë në Kosovë për për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, Hoti ka hedhur poshtë çdo mundësi të ndërprerjes së bisedimeve, duke thënë se gjeja e fundit që i duhet Prishtinës është izolimi në skenën ndërkombëtare.

Hoti iu përgjigj kërkesës së ushtrues së detyrës së presidentit pas dorëheqjes së Thaçit, Vjosa Osmani për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, duke u shprehur se qeveria e tij do të vazhdojë procesin e bisedimeve të  udhëhequra nga BE-ja.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur të dytën”, deklaroi ai.

Deklarata e tij erdhi pas kërkesës së një prej partnerëve të koalicionit qeveriës, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kërkuar zgjedhje të reja në Kosovë për shkak të ngërçir politik në çështjen e postit të presidentit të shtetit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar vetë Haradinajn për president të vendit, por nëse nuk arrihet një marrëveshje nga koaliconit qeverisës LDK-AAK-Nisma, Haradinaj thotë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

 “Unë jam i gatshëm të diskutoj për çështjen e presidentit. Aleanca e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Megjithatë në këto rrethana zgjedhjet janë zgjidhje”, është shprehur Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë