Qeveria shqiptare nuk është tërhequr nga beteja ligjore me Francesco Becchettin në Arbitrazhin e Uashingtonit dhe më 26 maj ka dorëzuar në këtë gjykatë kërkesën për korrigjim të vendimit të anulimit.
Kërkesa është dorëzuar në limitet e afateve kohore prej 45 ditësh nga vendimi që ndëshkon Shqipërinë me rreth 110 mln dollarë, e që u mor më datë 2 prill.
Por çfarë do të thotë ky hap? Praktika ndërkombëtare dhe rregullat mbi të cilat është ngritur dhe funksionon gjykata e Arbitrazhit të Bankës Botërore njeh atë që quhet në anglisht si “Rectification”, ose kërkesë për korrigjim të një gabimi të bërë gjatë fazave të mëhershme të hetimit dhe gjykimit.
Që kërkesa të merret parasysh nga ICSID ka dy rrugë. Rruga e parë është që kompania e Becchettit, Hydro S.r.l ta pranojë përmes një akti dakordësie për korrigjim. Rruga e dytë, në rast të refuzimit të Becchetttit është bindja e gjykatës përmes provave të reja që mund të paraqiten. Barra e provës në këtë rast bie mbi palën që kërkon korrigjimin, pra Shqipërinë.
Gjasat janë që Hydro S.r.l ta refuzojë kërkesën e Shqipërisë dhe për këtë të vendosë gjykata. Kjo nënkuptohet edhe nga ndryshimi i zyrës avokatore mbrojtëse, ku këtë herë Avokatura e Shtetit shqiptar ka pajtuar studion ligjore britanike “Wragge Lawrence Graham”.
Vetëm kërkesa për korrigjim i ka kushtuar shtetit shqiptar 10 mijë dollarë, që u shtohet qindra mijëra të tjerëve të shpenzuar prej 2015-ës, kur nisi beteja ligjore ndërkombëtare me biznesmenin italian, Francesco Becchettti.
Se çfarë kërkon Avokatura e Shtetit për të korrigjuar mbetet e panjohur, për sa kohë dosja e re nuk është bërë publike nga ICSID, por në të shkuarën, një sërë vendimesh të kësaj gjykate nuk kanë çuar në anulim të vendimit, por vetëm në korrigjim të tij.
Pra, në rastin e Shqipërisë mund të çojë në ulje të gjobës së vendosur, rritje të saj, ose edhe lënie në fuqi siç është dhe korrigjimi të prekë vetëm detaje teknike. Një shembull tipik se kur një kërkesë për korrigjim ka arritur të ndryshojë më shumë vendimin e dhënë më herët nga gjykata është rasti i kompanisë “Railroad Development Corporation” kundër Guatemalës.
Në 2013-ën, Gjykata e pranoi kërkesën e kompanisë për korrigjim të vendimit dhe pas shqyrtimit pranoi se kishte aplikuar në mënyrë të gabuar rregulloret dhe ligjet ndërkombëtare në vendimin e dhënë për dëmshpërblimin e kompanisë. Ajo e korrigjoi vendimin duke i shtuar edhe 2 mln dollarë të tjera që Guatemala duhet të paguante ndaj kompanisë “Railroad Development Corporation”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.