Lajme

Gjykata rrëzon Shkëlzen Berishën, kishte paditur për shpifje Taulant Ballën

Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë padinë për shpifje që Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha ngriti ndaj Taulant Ballës.
Në një prononcim për mediat pas vendimit të gjykatës, Balla tha vendimi është një triumf i drejtësisë.
“Dua të ndaj me ju një lajm tjetër të triumfit të drejtësisë lidhur me një rast të rëndësishëm që qartëson edhe arsyet se pse Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi janë turrur për të penguar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, sepse gjykata sapo vendosi që të rrëzojë poshtë një kallëzim të bërë nga i biri i Sali Berishës”, u shpreh Balla.
Balla ndër të tjera tha se në vendimin e arsyetuar të gjykatës konfirmohet se Shkëlzen Berisha ka kryer evazion fiskal.
“Në këtë vendim të arsyetuar të gjykatës konfirmohet qartë që Shkëlzen Berisha, gjatë kohës që babai i tij ka qenë kryeministër, ka kryer evazion fiskal madje nuk ka paguar detyrimet tatimore të fitimeve marramendëse.
Këto nuk janë përgjime, por janë prova kuptimplota sesi funksiononte regjimi asokohe dhe sesi pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve”, u shpreh ai.
Ndërsa Shkëlzen Berisha, po në një deklaratë për mediat, deklaroi se do apelojë vendimin derisa e vërteta të dalë në shesh.
“Prokuroria është e kapur nga fyti nga Taulant Balla. Do vazhdoj të përballem me këtë betejë dhe jam i sigurt për këtë fitore.
Është vërtetuar se nuk kam taksa të papaguara. Kjo është betejë do vazhdojë në Gjykatë të Apelit dhe më tutje. Vendimin do ta apeloj derisa e vërteta të dalë në shesh”, shprehet Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë