Lajme

Gjykata: Prokurori Bujar Sheshi nuk është ish-sigurims

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, duke shfuqizuar vendimin e marrë nga Autoritetit i Dosjeve se Sheshi është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Avokati i prokurorit Sheshi tha se ai ka kryer punën e tij si hetues në atë kohë në përputhje me ligjin.
“Gjykata vendosi të pranojë kërkesë padinë e zotit Bujar Sheshi. Ka shfuqizuar vendimin që ka marrë Autoriteti i Dosjeve, duke pranuar plotësisht padinë sa i përket pretendimit të Autoritetit se ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe faktit që është pretenduar se kartela e gjetur prej tyre për një person me emërtimin Bujar Sheshi është i njëjtë me të.
Gjykata ka pranuar pretendimet se nuk është i njëjti person dhe Bujar Sheshi nuk është një bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, por ka kryer punën e tij si hetues në atë kohë në përputhje me ligjin”, është shprehur avokati.
Më herët, ndaj prokurorit Sheshi u lëshuan shumë akuza nga Partia Demokratike ku sipas tyre figuron në dokumentet e Autoritetit të Dosjeve se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.
Ndërsa vetë Sheshi hodhi poshtë çdo mundësi se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e regjimit komunist.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush dhe para ligjit se unë Bujar Sheshi se nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit, sikurse pretendon vendimi i Autoritetit të Dosjeve”, theksoi Sheshi. Më pas ai i kërkoi KLP-së të hetojë në lidhje me akuzat e ngritura, pasi theksoi se këto sulme nuk po synojnë vetëm goditjen e tij si anëtar, por edhe ndaj institucionit, me qëllimin që siç tha, për të zhbërë reformën në drejtësi, pikërisht në fazën e krijimit SPAK dhe të emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila firmosi pastërtinë e figurës së prokurorit Bujar Sheshi, duke shfuqizuar vendimin e marrë nga Autoriteti i Dosjeve se Sheshi është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit vjen edhe reagimi i këtij institucioni.
Përmes një deklarate, Autoriteti thotë se vendimi i marrë sot nga një gjykatës i Gjykatës Administrative për të hedhur poshtë vendimin e një institucioni të specializuar dhe kolegjial, është i padrejtë, i pabazuar dhe i pakuptueshëm, sidomos kur rrëzon ekzistencën e dokumenteve autentike të ish-Sigurimit të Shtetit për shtetasin Bujar Sheshi (Shesha), paraqitur në pikën 1a) të vendimit nr. 12 datë 22.01.2019.
Sipas Autoritetit të Dosjeve, gjykatësi duhet të kishte vendosur lënien në fuqi të Vendimit nr. 12 datë 22.01.2019 të AIDSSH-së dhe rrëzimin e padisë, si të pambështetur në ligj dhe në prova.
“Për më tepër, ky vendim ka lidhje drejtpërsëdrejti me organet më të larta të drejtësisë, që të jenë të besueshme për publikun”, thotë Autoriteti duke shtuar se do të apelojë vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë