Gjykata Penale e Tiranës ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj ish-deputetit të PD-së Klevis Balliu, i cili bashkë me 12 banorë të Astirit do të merren të pandehur.
Ata akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë dhe tubim të paligjshëm. Ndërkohë, gjykata ka vendosur që të pushojë çështjen penale për punonjësin e policisë, Ardian Koni.
Ish-deputeti Balliu, nga Gjykata Penale e Tiranës, u shpreh se nuk ka prova për dhunë ndaj policisë, ndërsa deklaroi se ky pushtet do të bjerë dhe banorët do të marrin atë që i takon.
“Nuk ka prova për dhunë nga banorët drejt Policisë. Nuk ka asnjë provë as ndaj meje dhe as ndaj banorëve, por ata nuk e pushojnë çështjen. Nga ana tjetër nuk kemi asnjë të arrestuar për vjedhje votash. Ky pushtet do të bjerë dhe banorët do marrin atë që i takon. Të shkojmë sot t’i bëjmë me dije kësaj qeverie të korruptuar se koha e tyre ka mbaruar. Ka ardhur koha e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera Balliu.
Prej kohësh banorët e zonës së Unazës së Re, banesat e të cilëve prekeshin nga zgjerimi i kësaj rruge, kanë protestuar, ndërkohë që mbështetësi i kauzës së tyre ka qenë edhe ish-deputeti Klevis Balliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




