Drejtësia

Gjykata merr të pandehur biznesmenin Rezart Taçi, dosja shkon në gjyq

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka marrë të pandehur biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për “pastrim parash në kuadër të grupit kriminal”.

Ai do të gjykohet në mungesë, pasi masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij nuk është ekzekutuar ende.

Sipas Prokurorisë, Taçi i ofroi ndihmë biznesmenit italian Francesko Zummo për të kryer një transaksion financiar në Shqipëri prej 18 milionë Euro, në mënyrë që t’i shpëtonte konfiskimit në Itali.

Në këtë dosje, më herët Gjykata ka dënuar dy njerëz të afërt të Taçit, Bledar Lilo dhe Artur Ballën. Disa javë më parë, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të Rezart Taçit.

Sipas SPAK tre të pandehurit italianë në bashkëpunim me Rezart Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e biznesmenit kanë organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e milionave eurove.

Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo.

Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme, të konfiskuara tashmë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në dosjen e SPAK ka prova që tregojnë se për transferimin dhe fshehjen e shumave monetare, institucioni në fjalë përfitonte 16% të shumës monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë