Drejtësia

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi hartën e re gjyqësore, bie kërkesa e Dhomës së Avokatisë

Gazeta Si – Harta e re gjyqësore do të mbetet në fuqi. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshtoi si antikushtetues hartën e re gjyqësore, proces i cili u hap tre muaj pasi u zbatua reduktimi i ndjeshëm i gjykatave, ndodhur nga janari deri në 1 korrik 2023.

Për komunitetin e avokatëve që vitin e kaluar protestuan dhe bojkotuan gjyqet në rang vendi, shkrirja e gjykatave të apelit duke lënë vetëm në Tiranë dhe eliminimi i gjykatave administrative në dy, një në kryeqytet dhe një në Lushnjë, ka shkelur parimet kushtetuese dhe interesin e qytetarëve.

Harta e re gjyqësore u miratua më 21 korrik të vitit të shkuar, ku veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit, në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.

Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla: një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë