Drejtësia

Gjykata Kushtetuese bën bilancin vjetor, Holta Zaçaj për çështjen ‘Beleri’: Nuk ka kërkesë për pëshpejtim të procesit

Gazeta Si – Dy nga pikat më të rëndësishme ku u ndal kryetarja Holta Zaçaj në bilancin vjetor të Gjykatës Kushtetuese, ishin çështja “Beleri” dhe marrëveshja për emigrantët me Italinë.

Por, por para së gjithash, kreu i institucionit më të lartë gjyqësor në Shqipëri, kishte një mesazh të rëndësishëm për politikën: “Është e paimagjinueshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen!”.

Mes të tjerash, kryetarja Holta Zaçaj theksoi se nuk ka çështje të prapambetura në GJK, ndërsa gjatë vitit 2023 ka pasur një dyfishim të kërkesave dhe vendimeve të marra nga institucioni që ajo drejton.

Çështja “Beleri”

Në një komunikim me mediat, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, duke sqaruar çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, tha sa GJK ka marrë në shqyrtim dosjen e tij në shtator pas ankimimit për heqjen e masës së sigurisë, ndërkohë që gjykata është ende te dosjet e majit, duke nënkuptuar se nuk i a ardhur akoma radha.

Zaçaj tha që çështja po shqyrtohet dhe nuk rezulton që të ketë ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces.  

“Në lidhje me Belerin, dua t’ju vej në dijeni, se Gjykata ka marrë në shqyrtim cështjen dhe ka vendosur kalimin e saj në seancë plenare, në shtator. Ne nuk kemi filluar ende. Jemi duke shqyrtuar çështje të majit. Është duke iu përgatitur. Në Gjykatën Kushtetuese në momentin që bëhet gati dhe relatori është gati, merret në zbatim. Në këtë çështje, nuk më rezulton të ketë kërkesë për përshpejtim nga palët. Dy kërkesat e tjera janë paraqitur 1 dhe 10 janar dhe nuk janë marrë ende në shqyrtim”, – tha Holta Zaçaj.

Në Gjykatën Kushtetuese janë 3 kërkesat e depozituara nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.

Gjykata Kushtetuese e kaloi për shqyrtim çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, në tetor të 2023-it.

Beleri iu drejtua kësaj gjykate me kërkesën për shpalljen e pavlefshme të vendimit për arrestimin e tij si dhe mbajtjen në qeli, masë që e privon dhe nga betimi si kryebashkiak.

Mesazh për politikën: Zbatimi i vendimeve të GJK është rruga e vetme

Kryetarja Holta Zaçaj, kishte një mesazh të qartë për klasën politike. Sipas saj, rruga e vetme është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, tha ajo, drejtuar ligjvënësve, duke theksuar se nuk ka asnjë mënyrë tjetër sjelljeje nëse duhet që institucionet e një shteti ligjor të udhëhiqen nga parimi i demokracisë.

“Ajo që dua të theksoj është që nëse mund ta jap si mesazh për politikën është se zbatimi i vendimeve të GJK është rruga e duhur, e nevojshme dhe e vetme, – u shpreh Zaçaj. – Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”.

Marrëveshja për emigrantët me Italinë

Gjatë konferencës, Zaçaj ka sqaruar edhe vendimin që i hapi rrugë ratifikimit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Ajo u shpreh se shteti shqiptar ka përgjegjësi në lidhje me zonat që do t’i jepen në administrim shtetit italian.

Zaçaj theksoi se juridiksioni shqiptar aty është i pamohueshëm dhe vjen nga Kushtetuta, ku shteti shqiptar ka detyrimin për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë me 5 vota kundër dhe 4 pro kërkesën e 30 deputetëve demokratë që kërkonin shpalljen e marrëveshjes për azilkërkuesit me Italinë si antikushtetuese, çka i hap rrugën ratifikimit të saj në parlament.

Dosjet e prapambetura

Në analizën e saj, mes të tjerash, Zaçaj deklaroi se në Gjykatën Kushtetuese ka pasur 452 kërkesa për shqyrtim përgjatë vitit 2023.

“Ka pasur 452 kërkesa përgjatë 2023 në Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë nuk ka stok të çështjeve të prapambetura si gjykatat e tjera. 6 vendime janë kërkesa të paraqitura nga një grup deputetësh, 3 nga organizatat, 2 nga gjykatat dhe 59 nga individë. Ndërkohë, 30 vendime janë marrë unanimisht, ndërsa 40 me shumicë votash.

Zaçaj shtoi se pavarësisht pamjaftueshmërisë në buxhet, Gjykata Kushtetuese mori disa nisma për përmirësimin e punës.

“Edhe pse me buxhet te pamjaftueshëm, Gjykata mori disa nisma për disa drejtime, miratoi rregullore për funksionimin e gjykatës, miratoi rregulloren për komunikimin e gjykatës me mediat”, – tha Zaçaj.

Sipas Zaçajt, “veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese gjatë 2023 ishte impenjuese. Trupa e re ka sjellë diversitet të dobishëm në realizime të rëndësishme”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë