Drejtësia

Gjykata i kthen Prokurorisë dosjen e ish-policit Arbër Sula, kërkon një akuzë më të ashpër

Gazeta Si - Dosja në ngarkim të ish-policit Arbër Sula, i cili vrau dhjetorin e shkuar në një market në kryeqytet Jurgen Dukën, është kthyer për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Penale e Tiranës, e cila i është drejtuar Prokurorisë, duke kërkuar ashpërsim të akuzës ndaj të pandehurit.

Prokurori Petri Hysi erdhi në gjykatë me akuzën e "vrasjes në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike", ndërsa në vlerësim të Gjykatës, akuza duhet të jetë "vrasje për cilësi të veçanta".

I pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, që nuk i është pranuar nga Gjykata, ndërsa pritet që Prokuroria të tërheqë dosjen dhe të vijë me një akuzë të re.

Arbër Sula vrau me armë zjarri në një market në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit 2021 Jurgen Dukën.

Ish-agjenti i krimeve me detyrë në Dibër, qëlloi me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin në konfliktin e nisur për radhën e pagesës në një market në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.

Fillimisht Duka mbeti i plagosur, ndërsa ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër.

Arbër Sula ishte në arrati për më shumë se dy muaj dhe u vetëdorëzua në polici në 1 mars të këtij viti falë edhe presionit të familjarëve të tij.

Në ambientet e gjykatës gjatë dhënies së masës së sigurisë “arrest në burg”, Sula iu ka kërkuar ndjesë familjarëve të Jurgen Dukës

“Ju kërkoj ndjesë familjarëve, djemtë që u konfliktova më kërcënuan dhe në atë moment isha në gjende të rënduar psikologjike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë