Drejtësia

Gjykata heq sekuestron ndaj pronave të ish-shefit të Operacionales në Shkodër, Oltion Bistri

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka vendosur t'i kthejë 5 pasuritë e sekuestruara kompanisë “Arlis Ndërtim” që ishin porositur nga ish-shefi i Opercionales në Shkodër, Oltion Bistri dhe familjarët e tij, për të cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro.

Shoqëria “Arlis” ndërtim kishte kërkuar revokimim e pjesshëm të vendimit nr 19 për sekuestron e pronave të Oltion Bistrit dhe familjarëve të tij, për 5 prona, apartamente e dyqane.

Gjykata hoqi nga sekuestro këto pasuri që ishin me kontratë porosie nga ish-shefi i Operacionales i akuzuar për shpërdorim detyre. Çështja ishte kundërshtuar në Gjykatë nga avokati i kompanisë “Arlis”. SPAK nuk kishte kundërshtime.

SPAK ra në gjurmët e pronave gjatë verifikimeve në fazën hetimore ku rezultoi sipas saj se, pronat ishin si pjesë e pasurisë së drejtuesit të policisë dhe familjarëve të tij, dhe për këtë mori masën e sekuestros së 10 apartamenteve e 22 dyqaneve, 1 vile sipërfaqe trualli 200m2, një garazh dhe një automjet tip Range Rover viti 2012  me vlerë 3.1 milion euro.

Bistri ndodhet në qeli, pasi u arrestua në kuadër të dosjes së ashtuquajtur "Metamorfoza", ku nga komunikimet në rrjetin "Sky", doli se kishte kontakte dhe dyshohet se favorizonte biznesmenin Pëllumb Gjoka, edhe ky i arrestuar.

SPAK po e heton Bistrin me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën kur drejtonte komisariatin nr.2 në Tiranë, duke favorizuar biznesmenin Pëllumb Gjoka në aktivitetin e paligjshëm lojërave të fatit në kryeqytet.

Ai u vu nën hetim pas zbardhjes së komunikimeve në rrjetin "Sky", ku referuar vendimit për caktim të masës së sigurisë, ka disa mesazhe me biznesmenin që tregojnë se si i jepte informacione atij për operacione të policisë kundër lojërave të fatit, apo edhe për persona që shpalleshin nën kërkim. Vetë Bistri i ka mohuar akuzat përballë gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë