Gazeta Si – Gjykata e Posaçme shtyu për në datën 26 qershor seancën për Ilir Metën, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”.
Në një postim në Facebook, ish-presidenti thekson se po mbahet në qeli me urdhër politik, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumani për dezinformim të publikut me gjoja “episode e reja”.
Sipas tij, ata po kërkojnë ta mbajnë me pahir çift me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
“Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje pasioni i Altin Dumanit është ‘kaq i zjarrtë’ për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti“, shkruan Meta.
Më tej, hedh poshtë pretendimet për një kartë të paligjshme që e implikon atë. “Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër“, shkruan kreu i PL-së.
Meta shton se ai mban “përgjegjësi vetëm për veten dhe askënd tjetër. Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve”, përfundon ai.
Në një dalje për mediat, edhe avokati i tij, Kujtim Cakrani foli dhe për atë çfarë u shkrujt më herët në media për një tjetër rast korrupsioni nga Metës dhe Monika Kryemadhit.
Sipas tij, zoti Meta nuk ka përdor asnjëherë kartë të tillë por është përdorur nga ish-bashkëshortja e tij, Kryemadhi.
“Meta nuk ka karta, nuk ka përdorur. Kartën e ka përdorur ish bashkëshortja, nuk ka ardhur asnjë numër llogarie në emër të zotit Meta. Nuk u vumë në dijeni se nuk ekziston. Kërkuam kohën tonë që të shohim se çfarë organi i procedurës pretendon dhe pse duhet të qëndrojë në paraburgim. Nuk i vendosim dot garanci pasurore, se Meta nuk ka pasuri, – tha ai. – Pasuritë në planetin tokë janë zero. Po mbahet në paraburgim pa asnjë provë, asnjë fakt. Inkuizicion ndaj ish-presidentit”.
Sipas burimeve, nga hetimet e SPAK-ut, mësohet se është zbuluar një rast tjetër korrupsioni që lidhet me ish-çiftin Meta-Kryemadhi.
Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare, e cila dyshohet se është përdorur për blerje dhe shpenzime të dyshimta. Po sipas burimeve, kjo kartë bankare i është dhënë në dispozicion Kryemadhit dhe Metës nga një biznesmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.