Gazeta Si – Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për pezullim të dënimit të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, i dënuar me 2 vite burg.
Trupa e përbërë nga anëtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, vendosi mospranim të kërkesës.
Llalla pretendon se çuarja e tij në qeli, mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin për shkak të një sëmundjeje që ai vuan prej kohësh.
Avokati i tij, para gjykatës paraqiti disa epikriza, të cilat vërtetonin se Llalla vuan prej 12 vitesh nga një sëmundje e parikuperueshme.
Ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode.
Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7.000$ për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë te banesës si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.
Gjithashtu ndaj ish-kryeprokurit gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë.
Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës.
Në vendimin e saj, Apeli i GJKKO-së, thotë se ish-kryeprokurori për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik.
Në prag të vendimit të formës së prerë, Llalla mundi të arratisej jashtë vendit. Ndërkohë, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar, ai u arrestua në Itali në dhjetor të vitit të kaluar.
Që nga ajo kohë, Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
Llalla është funksionari i parë i lartë i hetuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë në Shqipëri për shpërdorim detyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.