Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon ankimin e Ballukut për ndalim të daljes jashtë vendit

Gazeta Si – Gjykata e Lartë, nuk e ka pranuar rekursin e ish-zëvendësekryeministres, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi vendimin për ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Balluku akuzohet për veprën penale ‘shkelje e barazisë në tendera’ dhe është marrë e pandehur për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ndërsa po hetohet për 7 lotet e Unazës së Madhe, si dhe dyshohet për 3 procedura të tjera tenderuese.

Më 9 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit mbajti një seancë për masën e “pezullimit nga detyra”. Pavarësisht se Balluku nuk ushtron më asnjë funksion në pushtetin ekzekutiv, masa u la në fuqi, ndërsa avokati i saj kërkoi pushimin e çështjes.

Parlamenti votoi më 12 mars kundër kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Me 82 vota kundër të maxhorancës socialiste dhe 47 pro të deputetëve të opozitës u rrëzua kërkesa për ndryshimin e masave të mëparshme, dhënë nga Gjykata e Posaçme, ajo e pezullimit nga funksionet qeveritare dhe ndalimit të udhëtimit jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë