Drejtësia

Gjykata e Lartë rikthen në burg Lulzim Berishën, por ‘i forti’ i Durrësit nuk dihet se ku është

Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të martë të rikthejë në burg Lulzim Berishën, vendndodhja e të cilit nuk dihet, pasi u la i lirë me kusht në vitin 2016.

I ashtuquajturi kreu i “Bandës së Durrësit”, është liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës në dhjetor të vitit 2016 për shkak të problemeve shëndetësore.

Organizata e drejtuar prej tij, akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit e Arjan Pajës; Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames.

Ky është një vendim, i cili ka ardhur menjëherë, pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar kërkesën e prokurorisë, për ta dënuar Berishën me burgim të përjetshëm.

Një muaj para se të lirohej, Lulzim Berisha i kishte dërguar një kërkesë gjykatës për ta liruar nga burgu me arsyen se ishte i sëmurë dhe rrezikonte jetën në qëndronte pas hekurave. Në prill të vitit 2006, ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje, gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal.

Por 5 vite më parë, Lulzim Berisha fitoi lirinë me kusht pas garancisë së dhënë për punësimin e tij edhe nga Bashkia e Durrësit, ndërsa më herët vetë Gjykata e Lartë kishte ulur dënimin e tij nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg. Ai u lirua në vitin 2016, pikërisht ku i kishin mbetur edhe 5 vite të tjera burg.

Vendimi solli një reagim të fortë edhe nga përfaqësitë diplomatike të SHBA-BE në Shqipëri. Prokuroria nisi një hetim, i cili më pas u mbyll. 

Por gjatë kohës që kishte rifituar lirinë, ai i akuzua dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar në lidhje me vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames.

Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 shkurt të vitit 2005, u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili pretendon se gjithçka u bë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë