Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka vendosur që të mos e pranojë rekursin e bërë nga Lefter Koka, kundër Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i ka sekuestruar pasurinë.
Burime bëjnë me dije se gjyqtari Sandës Simoni, ka rrëzuar rekursin e Kokës për heqjen nga sekuestro preventive të kantines së pijeve alkoolike.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet shkrutimisht në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Më herët në 13 Prill, Gjykata e Lartë kishte rrëzuar edhe rekursin e Lefter Kokës për lirimin e tij nga qelia.
Kështu, ish-Ministri Lefter Koka, i arrestuar për aferën e inceneratorëve, përveç betejës penale vijon në gjykatë edhe atë për pasurinë.
Me anë të rekursit të firmosur nga vetë Koka, ai i kërkon Gjykatës së Lartë të zhbllokojë nga sekuestro kantinën në Rashbull të Durrësit, ku rezulton pronar me 88% të aksioneve.
Ky biznes u vu në sekuestro në përfundim të hetimeve paraprake për inceneratorin e Elbasanit.
Por dy shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar kërkesën e Kokës. Ndërkohë, pas hetimeve për rastin e Fierit, ish-ministrit iu vunë në sekuestro 4 prona, si pjesë e hetimit pasuror që po kryhet ndaj tij.
Një ditë më parë, Apeli i Posaçëm ka pranuar kërkesën për ankimim nga Koka, për masën e sigurimit personal të vendosur nga shkalla e parë.
Në seancën që do të zhvillohet në 17 maj në porën 11:00, ish-ministri do të kërkojë një masë më të butë sigurie.
Koka u arrestua në 14 dhjetor 2021, me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave me dyshimin se ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Në kërkim për këtë dosje mbeten dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.7 milionë Euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.
Çifti i partnerëve rezulton në sistemin TIMS se ndodhen jshtë Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.