Drejtësia

Gjykata e Lartë kalon në seancë gjyqësore ’21 Janarin’. Në 12 mars vendoset cila prokurori do hetojë dosjen

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën ku pritej të vendosej nëse hetimet për dosjen e “21 Janarit” do të kryhen nga SPAK apo nga Prokuroria e Tiranës.

Vendimi u dha në dhomë këshillimi, që do të thotë se do bëhet seancë e hapur me palët, që do t’i thërrasë Gjykata e Lartë. Seanca e radhës është parashikur të mbahet në Gjykatën e lartë më datë 12 mars, ora 13:00.

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kanë kërkuar që çështja të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme.

Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra nga plumbat e shtetit në protestën opozitës së atëhershme në 21 janar 2011.

Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.

Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 bën thirrje për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve të atij krimi shtetëror.

Edhe Gjykata e Strasburgut ka kërkuar rihetimin e kësaj ngjarje, ku katër qytetarë u vranë nga plumbat e Gardës me urdhër të shtetit.

Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje mos hetimin dhe mos zbardhjen e vrasjes së tij.

Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës, por rezultatet kanë qenë vetëm në kuadrin e akuzave nga ana e qeverisë ndaj prokurorëve të kryeqytetit.

Dhe nga ana tjetër, qëndrim prapësues nga organi i akuzës së Tiranës që insistoi së fundmi se po kryen hetime.

Megjithatë, veç dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, fakt është që drejtësia në Shqipëri për më shumë se një dekadë ka dështuar të gjejë se kush i vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën. Se kush do ta hetojë 21 Janarin, SPAK apo Prokuroria e Tiranës, kjo do të kuptohet pasi gjykata të dëgjojë palët në seancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë