Bota

Gjykata e Lartë e Venezuelës gjobit TikTok me 10 mln $ për përhapje të ‘sfidave’ të rrezikshme

Gazeta Si – Të hënën, Gjykata e Lartë e Venezuelës vendosi një gjobë prej 10 milionë dollarësh (rreth 9 milionë e 600 mijë euro) ndaj “ByteDance”, kompanisë kineze që zotëron rrjetin social TikTok.

“ByteDance” akuzohet se nuk ka marrë masa parandaluese për të shmangur përhapjen e disa “sfidave” që sipas autoriteteve të vendit do të shkaktonin vdekjen e tre adoleshentëve nga helmimi me kimikate.

Gjykata e detyroi “ByteDance” të paguante gjobën brenda 8 ditëve dhe i kërkoi kompanisë të hapte një zyrë të TikTok në Venezuelë për të mbikëqyrur përmbajtjen dhe për ta bërë atë në përputhje me ligjet lokale.

Gjykatësja Tania D’Amelio tha se paratë nga gjoba do të përdoren për të krijuar një “fond për viktimat e TikTok që synon të kompensojë dëmin psikologjik, emocional dhe fizik të pësuar nga përdoruesit”.

Në nëntor, presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ia atribuoi TikTok-ut përgjegjësinë për vdekjen e një vajze 12-vjeçare, duke pretenduar se ajo ishte e lidhur me një sfidë që përfshinte marrjen e qetësuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë