Gazeta Si – Gjykata e Bosnjë Hercegovinës ka urdhëruar vendosjen e liderëve të entitetit serb, Republika Sërpska në paraburgim 30-ditor, menjëherë pasi ata të jenë ndaluar për t’u marrë në pyetje nën dyshimin për cenimin e rendit kushtetues.
Gjykata konfirmoi të premten vonë për Radion Evropa e Lirë se ka urdhëruar paraburgimin e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviç dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiç.
Dodik, Vishkoviçit dhe Stevandiç dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.
Ata i kanë shpërfillur thirrjet e Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur për intervistim. Prandaj, Prokuroria e Bosnjës lëshoi një urdhër të mërkurën për t’i sjellë ata detyrimisht për intervistim.
Kodi i Procedurës Penale i Bosnjës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për të dhënë deklaratë, në rast se një person i thirrur në institucionet gjyqësore nuk pranon të paraqitet vetë.
Nëse kjo nuk është e mundur, hapi tjetër është lëshimi i një fletarrestimi kombëtar.
Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviçit dhe Stevandiçit iu dha policisë gjyqësore në nivel shtetëror të mërkurën, me ndihmën e kërkuar edhe nga Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).
Prokuroria Shtetërore më herët kishte bërë të ditur se hetimet për këtë rast kishin nisur në dhjetor të vitit 2024, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e kësaj vepre penale.
Urdhri për paraburgosjen e tyre vjen në një kohë kur autoritetet e Republikës Sërpska kanë nisur miratimin e një sërë ligjesh antikushtetuese.
Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.
Sipas Kushtetutës së Bosnjë Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




