Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi për pafajësi.
Togat e zeza, kanë miratuar vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar me vendim të formës së prerë me 1 vit e 4 muaj ish drejtorin.
Megjithatë, Gëllçi u lirua nga burgu në 30 gusht të këtij viti me vendim të GJKKO-së, duke mos i pranuar akuzat.
Ai u shpall fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro.
Gjithashtu në fuqi u la vendimi edhe për tre personat e tjerë të vënë nën akuzë për të njëjtën çështje. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Gëllçi në cilësinë e drejtuesit dhe 3 zyrtarët e tjerë pjesë e Komisioneve përzgjedhëse kanë favorizuar kompaninë fituese nëpërmjet kritereve të vendosura.
Gëllçi së bashku me Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj u arrestuan në tetor të vitit 2021. Prokuroria bëri të ditur se ish-zyrtari i lartë i Televizionit Publik, i cili financohet nga buxheti i shtetit, akuzohet për shkeljet e konstatuara në procedurën e hapur të prokurimit me objekt blerje pajisjesh për kanalin RTSH Agro, me fond rreth 1 milion dollarë të zhvilluar në datën 9 nëntor 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.