Lajme

Gjykata Europiane e Llogarive kundër PPP-ve: Të rrezikshme

Partneritetet Publike Private të bashkëfinancuara nga BE-ja (PPP-të) nuk mund të konsiderohen si një opsion ekonomikisht i mundshëm për dhënien e infrastrukturës publike, sipas një raporti të ri nga Gjykata Europiane e Llogarive. PPP-të e audituara karakterizohen nga mangësi të shumta dhe përfitime të kufizuara, duke rezultuar në 1.5 miliardë shpenzime joefikase dhe joefektive. Përveç kësaj, transparenca rezulton e dhunuar gjerësisht nga politika dhe kjo formë financimi karakterizohet nga një strategji e paqartë, analiza të papërshtatshme, regjistrim jashtë bilancit i PPP-ve dhe rregullimet e pabalancuara të ndarjes së rrezikut.

Në një raport të titulluar Partneritetet Publike Private në BE: Mangësi të shumta dhe përfitime të kufizuara, Gjykata Europiane e Auditimit (ECA), institucioni që kontrollon financat e gjithë BE-merr në analizë financimet e BE-së që janë aplikuar në formën e PPP-ve.

Gjatë analizës së Shqipërisë, raporti citon se në Shqipëri, PPP-të janë bërë mënyra e preferuar e investimit të qeverisë Rama, e cila po jep çdo gjë me PPP, duke filluar nga shkollat, kujdesi shëndetësor, aeroportet, rrugët, landfillet e mbetjeve, inceneratorët, teatrot. Të gjitha këto PPP kanë sjellë një faturë prej 70 milionë eurosh vetëm për vitin 2018. Qeveria ka vendosur të mos i llogarisë këto detyrime si borxh publik.

Të gjitha koncesionet nën qeverinë Rama u janë dhënë kompanive pranë saj, me konkurrencë minimale, shpesh duke dhënë “pikë bonus” për propozime “të pa kërkuara”.

Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditimit lidhur me shpenzimet joefikase dhe “marrëveshjet e pabalancuara në parashikimin dhe ndarjen e vërtetë të risqeve midis shtetit dhe privatit” thekson paralajmërimet e vazhdueshme të FMN-së në Shqipëri.

Raporti citon më tej se mes viteve 2000 dhe 2014, BE-ja ka dhënë 5.6 miliardë euro për 84 PPP, me një kosto totale prej 29.2 miliardë eurosh. Auditorët vlerësuan 12 PPP të bashkëfinancuara nga BE-ja në Francë, Greqi, Irlandë dhe Spanjë në fushën e transportit rrugor dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), me një kosto totale prej 9.6 miliardë euro dhe një kontribut të BE prej 2.2 miliardë euro. Në përgjithësi, ata gjetën që PPP-të u lejuan autoriteteve publike të siguronin infrastrukturë në shkallë të gjerë përmes një procedure të vetme, por këto ngritën rrezikun e konkurrencës së pamjaftueshme dhe për këtë arsye autoritetet kontraktuese i vendosën në një pozicion negociator më të dobët.

"Pothuajse 1.5 miliardë euro shtesë në fondet publike ishte e nevojshme për të kompletuar pesë autostradat e audituara në Greqi dhe Spanjë. Rreth 30% e kësaj (€ 422 milion) janë siguruar nga BE ", është shprehur Oskar Herics, anëtar i Gjykatës Europiane të Auditimit, përgjegjës për raportin. "Shpenzimet kanë qenë joefektive në drejtim të arritjes së përfitimeve potenciale ekonomike".

Raporti i Gjykatës shprehet se sido që të jenë formuluar, PPP-të thjesht nuk janë një formë e shëndetshme financiare dhe ekonomike për të menaxhuar investimet publike dhe risqet e tyre. Gjykata Europiane e Auditimit u rekomandon shteteve anëtare të BE-së:

– Të mos nxisin përdorimin e PPP-ve derisa të kenë marrë zgjidhje problemet e identifikuara;

– Zbutjen e ndikimit financiar të zgjatjes së marrëveshjeve dhe shtyrjes në kohë, pasi të gjitha këto kosto rëndojnë mbi qytetarët;

– Të përzgjedhin në analiza të qarta, të thella dhe që krahasojnë mundësitë më të mira të prokurimit për PPP që do të zhvillohen;

– Të sigurojnë aftësitë e nevojshme administrative dhe të krijojnë politika dhe strategji të qarta për të zbatuar PPP të suksesshme të mbështetura nga BE;

– Të përmirësojnë kuadrin ligjor të BE-së për të pasur sa më shumë efektivitet të PPP-ve, në mënyrë që dhënia e një projekti me PPP të jetë vërtet mundësia më e leverdisshme. S. Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë