Lajme

Gjuha shqipe zyrtare në Maqedoni, Meta mesazh urimi

Pas zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferit. Kreu i shtetit shqiptar e ka konsideruar mbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, përmes të cilit u vendos zyrtarisht përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e shtetit një hap të rëndësishëm historik dhe kuptimplotë.
Presidenti thotë se gjuha shqipe ka zënë vendin e merituar në Maqedoni. “Ju përgëzoj përzemërsisht për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku dhe gjuha shqipe zë zyrtarisht vendin e saj të merituar në Maqedoni. Kjo është një ngjarje historike dhe kuptimplote për shqiptarët, një arritje e madhe dhe e rëndësishme që i kontribuon demokracisë dhe garantimit të të drejtave të barabarta për qytetarët e të gjitha kombësive që jetojnë në Maqedoni. Kjo arritje përbën gjithashtu një hap shumë te rëndësishëm në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të orientuar drejt vlerave euroatlantike dhe në rastin konkret demonstruan një maturi të admirueshme dhe qëndrim konstruktiv. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë rolin që Ju personalisht keni luajtur në këtë drejtim, duke i bërë krenarë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë”, shprehet presidenti Ilir Meta.
Kryetari i Kuvendit maqedonas, një ditë më parë firmosi Ligjin për gjuhët, me të cilin zyrtarizohet përdorimi i gjuhës shqipe në nivel të shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë