Edhe pse ditë pushimi zyrtar, përplasjet në protestën e mbrëmjes së të shtunës nxorrën në konferencë për mediat jo vetëm ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, por edhe ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Konferenca ishte paralajmëruar paraditen e së dielës nga zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë. Në deklaratën e saj, Gjonaj ishte në të njëjtën linjë me ministrin e Brendshëm, që foli për cenim të rendit kushtetues.
Ajo tha se nuk bëhej fjalë për protesta të qytetarëve shqiptarë, por për akte dhune të nxitura nga drejtuesit e opozitës dhe kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë duke ndëshkuar organizatorët dhe autorët. “Nxisim organet ligjzbatuese dhe organet e drejtësisë për të hetuar dhe cuar para drejtësisë përgjegjësit e kësaj dhune dhe për të bërë drejtësi për policët e dhunuar”, tha ajo.
Qëllimi i vërtetë i protestës, sipas ministres, është dëmtimi i imazhit të vendit në një kohë që është nën vëzhgimin e imtësishëm të Brukselit para vendimmarrjes së qershorit për hapjen ose jo të negociatave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




