Lajme

Gjonaj në tryezën për Prokurorinë, Presidenca: Tallje! Duhej të merrej e pandehur

Presidenca ka reaguar përmes zëdhënësit të saj, Tedi Blushi duke ironizuar tryezën e zhvilluar këtë të martë me temë “Sfida e Prokurorisë së Përgjithshme”, në të cilën merrnin pjesë ambasadorët Yuri Kim e Luigi Soreca, kryeprokurori Olsian Çela dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Blushi thotë se pikërisht tallja që iu bë reformës në drejtësi dhe ligjet antikushtetuese të miratuara nga mazhoranca ishin faktorët që nxorrën mijëra shqiptarë në protestën e thirrur nga Presidenti Ilir Meta ditën e hënë.

“Tallja me Reformën në Drejtësi dhe bërja e ligjeve puçiste anti-kushtetuese pati meritë të madhe për të mbledhur kaq shumë shqiptarë kundër grushtit të shtetit, ku Ministrja e Drejtësisë, siç është provuar nga shkresat zyrtare, akuzohet për 4 vepra penale”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/blushited/videos/10158042117107760/

Presidenca thotë se në vend që Etilda Gjonaj të merrej si e pandehur u shfaq si pjesë e frontit të Ramaformës dhe paralajmëroi se në tubimin tjetër do të ketë shumë më shumë njerëz në shesh.

“Ndërsa të gjithë prisnin që Prokuroria të vepronte ndaj saj, sot e shohin si pjesë të frontit të Ramaformës në konferencën e Prokurorisë duke qenë edhe krenare! Pandëshkueshmëria, Padrejtësia dhe Pafytyrësia kanë arritur majat! Herën tjetër do mblidhen shumë herë më shumë se dje, shqiptarë të ndershëm dhe me dinjitet, që s’mund të pranojnë këtë Kryemaskaradë! TURP! SHAME ON YOU!”, mbyll reagimin e tij zëdhënësi i Presidentit Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë