Pas muzeut në ish-kampin famëkeq të internimit në Tepelenë, arkitekti Gjon Radovani rikthehet me një tjetër projekt në vendin e tij. Një kishë kushtuar shenjtores Nënë Tereza, në Tiranë. Arkitekti do ta zbulonte përmes një video-mesazhi pak orë para Kongresit Kombëtar të Unionit Katolik, në Romë ku do të prezantojë edhe konceptin e shenjtërores, kushtuar gruas me zemër të madhe. Një rrugëtim arkitektonik përmes dogmës së krishterë dhe jetës së një shenjtoreje. Nisma, që vetë Radovani e quan, epokale, mori jetë dy vjet më parë nga një grup ndërkombëtar personalitetesh të botës së diplomacisë, shkencës, artit dhe punës.
“Të projektosh një ndërtesë të dedikuar zotit apo një shenjti social për një arkitekt është një sfidë ë bukur që të merr me vete e të mbështjell në një marrëdhënie gati mistike me hyjnoren, një raport ku në procesin e krijimit të ndërtesës, teknika profesionale dhe ndjeshmëria artistike përzihen në mënyrë madhështore me dogmën, kredon, duke ngulitur një dimension mbinatyrshëm”, shprehej Radovani, i cili në karrierën e tij 30 -vjeçare si arkitekt njihet përtej punës në zhvillimin urbanistik me komplekse arkitektonike publike e private dhe arkitekturën e vendeve të shenjta post-konciliare. Arkitekti shqiptar, i cili e ka zhvilluar karrierën në Europën Perëndimore, ka projektuar kishën e shenjtorit të parë jo klerik me ngjyrë në historinë e Kishës, dedikuar Benedict Samuel Tshiman-gadzo Daswa. Kjo kishë e pelegrinazhit është projektuar në Tchachanini, provinca e Limpopo në Afrikën e Jugut.
“Patroni i ndërtesës së shenjtë, bëhet shpesh instrumenti lehtësues i komunikimit mes projektuesit dhe dogmës. Përkthyesi i parimeve hyjnore dhe pastorale dhe atyre tokësore, një formë ndërmjetësi kulturor mes së shenjtës dhe jetës së përditshme. Ashtu si Jezusi me praninë e tij mes nesh, përktheu në gjuhën tonë dhe në gjuhën e doktrinës sociale atë që zoti do dhe pretendon nga ne. Në rastin konkret, ndërmjetësi mes hyjnores dhe profanes nuk është tjetër veçse e vogla grua e madhe, më e famshme e shekullit 20”, thotë Radovani, i cili në shtator vizitoi muzeun e kampit të Tepelenës, kushtuar viktimave të regjimit diktatorial, dy vjet pas krijimit të tij.
Sipas Radovanit, një kishë për shenjtoren që mishëroi tek vetja dhe shfaqi me jetën e saj praninë e pabesueshme të përunjësisë, të dashurisë për më të vobektit dhe të krishterimit të vërtetë, nuk mund të jetë kremtim i bukurisë vanitoze, pa përmbajtje. “Nuk mund të jetë as himn sipërfaqësor i lavdisë dhe fitoreve tokësore. Një tempull i dedikuar nënë Terezës së Kalkutës duhet të trajtojë në mënyrën më të plotë dhe integrale atë forcë të pamposhtur dhe mrekullibërëse që vetëm kredoja e bashkuar me emrin e Zotit mund të burojë. Vetëm atëherë lavdia zbulohet e vërtetë dhe e pastër dhe shndërrohet nga profania në hyjnore”, shprehet Radovani, duke sjellë përkufizimin që Papa Françesku i ka bërë shenjtores me origjinë shqiptare, si “laps në duart e zotit”, i cili e kanonizoi Shën Terezën e Kalkutës, më 2016-n.
Vetë Nënë Tereza, e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e quante veten “laps të vogël në duart e zotit, që i shkruante botës një letër dashurie”. Nënë Tereza erdhi për herë të parë në Shqipëri në fund të vitit 1989, ndërsa regjimi komunist qe në grahmat e fundit dhe autoritetet nuk qenë fort entuziastë në pritjen e saj, por ajo mundi të hyjë lirisht e të pritej ngrohtë vetëm pas vitit 1990, fillimisht për hapjen e “Urdhrit” që mban emrin e humanistes dhe katër vjet para se të shuhej në vitin 1993, në një vizitë me Papa Gjon Palin e Dytë.
“Të hysh në thellësinë e jetës së Nënë Terezës është si të notosh dhe lundrosh në dogmën kristiane, të mbërthesh në të gjithë qelizat e trupit fuqinë e së vërtetës, rëndësinë e jetës dhe të dinjiteti njerëzor”, vijon Radovani, i cili zbulon se adhurimi i Shën Terezës do të jetë përbërësi më i rëndësishëm i strukturës së shenjtërores, por që do të ndiqet nga përbërës të rëndësishëm për zhvillimin të një vendi që aspiron të hyjë në familjen europiane dhe edukimin e një shoqërie që përpiqet të rritet dhe të lulëzojë.
“Turizmi religjioz që nuk është gjendur kurrë në krizë edhe në kohë krizash ekonomike ndërkombëtare do të bëhet një motor i burimeve ekonomike, me impakt social të planit të parë”, shprehet Radovani, i cili ka themeluar edhe shoqatën humanitare, artistike dhe shkencore “Claim for Dignity”. Që nga dhjetori i vitit 2017 Radovani mbulon si këshilltar dhe koordinator për PNUD-in një projekt të quajtur “Kujtesë për të shëruar dhe parandaluar”.
Arkitekti shkodran, veprat arkitektonike të të cilit gjenden më së shumti në Gjermani, Itali apo Afrikë e Jugut, e sheh nderimin që Tirana dhe Shqipëria do t’i bëjnë Nënë Terezës si fitimprurës jo vetëm në planin ekonomik dhe zhvillimit, por edhe të përmirësimit të imazhit dhe “respektit mbi pelegrinin, besimtarin, vizitorin, tjetrin në kuptimin më të gjerë ungjillor dhe papnor”.
Çdo 4 shtator, bota përkujton një shenjtore të shpallur në kohë moderne, një murgeshë katolike, një shqiptare të mirë, një shërbyese të përulur të njerëzve në nevojë. Shenjta Nënë Tereza e Kalkutës njihet si simbol i përkushtimit njerëzor. Ndërsa në Shqipëri Nënë Tereza është nderuar me një sërë sheshesh, objektesh dhe dekoratash që mbajnë emrin e saj, në Grossetto të Italisë ka një kishë të kushtuar Nënë Terezës dhe, siç ka zbuluar Radovani, së shpejti besimtarët e krishterë katolikë do të kenë një shenjtërore kushtuar humanistes së vlerësuar edhe me Nobelin e Paqes, në kryeqytetin shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.