Gazeta Si – Novak Gjokoviç nuk humbiste një ndeshje në Australi prej 6 vitesh, që prej 2018-ës, në turin e parë të Australian Open kundër Hyeon Çung. Prandaj fitorja e Aleks De Minaur në United Cup mund të konsiderohet një befasi.
Australiani fitoi kundër serbit, numrit 1 në botë, në dy sete (6-4, 6-4), duke ndërprerë serinë prej 43 fitoresh radhazi të ‘Noles’ në Australi. Një fitore ‘e pranueshme’ për të tenistin më të mirë të momentit, për sa mund të jetë ‘e pranueshme’ për të.
Por ndeshja ndaj De Minaur sjell pak shqetësim. Pasi hoqi dorë nga ndeshja dyshe miks ndaj Çekisë, për shkak të një problemi në kyçin e dorës, serbi nuk u duk më mirë fizikisht. Edhe ndaj australianit Gjokoviç pati probleme të qarta në kyçin e dorës së djathtë, madje iu desh ndihma e fizioterapistit. Nga lëvizja e buzëve të Gjokoviç u lexua fjalia: “sa më shumë luaj, aq më shumë më dhemb”.
Një situatë, që duke pasur parasysh se Australian Open fillon pas më pak se dy javësh, është vërtet shqetësuese. Është shpejt për të kuptuar sa serioz është problemi, por fakt është që dominimi i ‘Noles’ në tokën australiane është ndërprerë.
Humbja e Gjokoviçit dhe problemi në kyçin e dorës kanë marrë vëmendjen e të gjithëve, edhe të kolegëve si Nik Kirgios, australianit mjaft aktiv në rrjetet sociale. Ai ka dalë në mbështetje të numrit 1, me të cilin ka një raport shumë të mirë.
“Ndërrimi i topave çdo javë goditi edhe kyçin e ‘Noles’. Atp duhet të bëjë diçka për ta zgjidhur këtë problem. Lojtarët po vuajnë vazhdimisht. Ata që mendojnë se unë po i heq meritat Aleksit, janë thjesht budallenj. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe meriton çdo sukses. Për ata që mendojnë se topat nuk janë një faktor që shkakton dëmtime te një tenist, do të thosha se janë si patate. Ngarkesat te bërryli dhe kyçi i dorës së një lojtari janë shumë të mëdha”, – ka shkruar Kirgios.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.