Trashëgimi

Gjobitet turisti në Firence, dëmtoi statujën e Poseidonit për të bërë një foto

Një gjobë prej pesë mijë eurosh do të duhet të paguajë një turist 22-vjeçar gjerman, i cili gjatë natës së kaluar është ngjitur në shatërvanin e Poseidonit, në pjesën më qendrore të Firences, për të bërë një “selfie”.

Në fillim, statuja dukej e padëmtuar. Megjithatë, pas një “ekzaminimi” të kujdesshëm nga konservatorët, u konstatua se për shkak të peshës së turistit, një pjesë e vogël e këmbës së kalit të Poseidonit, brenda shatërvanit, ishte shkëputur.

Më tej, pas kontrolleve, pjesa e sipërme, prej mermeri të kuq, ka pësuar shkëputjen e një pjese trekëndore rreth 25 x 20 milimetra.

Dëmi i llogaritur nga teknikët e Komunës është rreth 5 mijë euro.

Me një kërcim, ai u ngjit në këmbën e kalit, duke arritur në bazën e karrocës dhe, pasi miqtë e tij i bënë disa foto zbriti, por gjatë zbritjes arriti ta dëmtonte atë.

Mirëpo, alarmi ka rënë vetëm kur i riu është larguar nga zona e shatërvanit, duke e lënë atë dhe miqtë e tij të humbin gjurmët e tyre. 22-vjeçari u gjet falë pamjeve të kamerave të vëzhgimit.

Zyrtarët komunalë me pamjet nga kamerat e sigurisë kanë arritur të identifikojnë përgjegjësin, i cili tashmë akuzohet për shkatërrim dhe dëmtim të trashëgimisë kulturore të vendit.

“Ky turist e ka parë të arsyeshme të ngjitet në statujë për një selfie. Sistemi i alarmit funksionoi, - komentoi kryebashkiaku Dario Nardella në Twitter. - Falë kamerave të Bashkisë ai është identifikuar dhe do të paguajë një gjobë të majme. Nuk ka asnjë justifikim kundër vandalizmit të trashëgimisë kulturore”.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i kulturës, Gennaro Sangiuliano: “Shpërfytyrimi i trashëgimisë kulturore kombëtare është shenjë e mungesës totale, nga ana e autorit, të respektit për qytetërimin dhe bukurinë, një ndjenjë që duhet të dallojë ata që zgjedhin të vizitojnë Italinë. Kjo gjendje absolutisht duhet të marrë fund. Dispozita që shtrëngon sanksionet për dëmtimin e trashëgimisë kulturore, tashmë e votuar nga Senati dhe që së shpejti do të bëhet ligj, do të jetë frenuesi i duhur për veprime të ngjashme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë