Lajme

Gjoba fiktive ndaj biznesit për lejimin e duhanit, nën hetim kryeinspektori dhe 2 inspektorë

Tre zyrtarë të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në Elbasan do të ndiqen penalisht pasi akuzohen se kanë vendosur gjoba fiktive ndaj një subjekti, në kuadër të kontrollit anti-duhan.
Policia e Elbasanit bën me dije se do të hetohen në gjendje të lirë shtetasit;
H. M, 45 vjeç, banues në Tiranë, E. M., 31 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë ( Inspektore), pranë ISHSH, dega Elbasan si dhe A. M., 46 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë (Inspektor), pranë ISHSH dega Elbasan.
Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi, më 11 nëntor të këtij viti, në kuadër të kontrollit anti-duhan, dyshohen se kanë vendosur gjobë fiktive, ndaj një subjekti.
Ndërkohë nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan u arrestua në flagrancë H. K., 32 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar të llojit heroinë.

ISHSH hedh poshtë pretendimet: Shkelja është e dokumentuar me foto
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe vetë ISHSH-ja e Elbasanit, e cila thekson se funksionarët e saj kanë ushtruar vetëm detyrën dhe se subjekti tregtar është gjobitur konform parashikimeve, pasi sipas tyre, është konstatuar në shkelje të ligjit.
“Në datë 11.11.2019 te Subjekti fizik bar-kafe gjatë kontrollit konform ligjit është konstatuar në shkelje të ligjit anti-duhan nga trupa inspektuese dhe Kryeinspektori i Qarkut ISHSH Elbasan. Sipas procedurave ligjore subjekti është gjobitur me vlerë 300 000 mijë lekë (të reja). Inspektimi është kryer konform ligjit dhe shkelja është dokumentuar me foto”, thuhet në reagimin e ISSH-së.
Sipas ISSH-së, “më 21 nëntor rreth orës 10 e 30 subjekti paraqitet në zyrë të kryeinspektorit dhe me tone presioni që t’i hiqet gjoba godet fizikisht fillimisht kryeinspektorin dhe më pas inspektorin dhe largohet nga zyra. Inspektori A. M i dëmtuar fizikisht u dërgua në urgjencë në spital ku iu dha ndihma e parë mjekësore, ndërsa dhe Kryeinspektori i ISSH Elbasan u paraqit pranë Drejtorisë së Policisë Vendore Elbasan për të denoncuar rastin”.
ISHSH thotë se policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Elton Kila i cili dhunoi punonjësit e shtetit që kryen me korrektësi detyrën dhe se Policia nuk e ka informuar median për incidentin e rëndë, por këtë fundjavë ka raportuar një variant tjetër duke manipuluar ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë