Rend dhe Ligj

GJKKO lë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për Artan Shkëmbin

Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi pezullimin nga detyra të numrit 2 të OFL-së, Artan Shkëmbi, pas akuzave për korrupsion dhe nxjerrje sekreti hetimor.

Në përfundim të seancës, avokati i tij ka deklaruar se për Shkëmbin është lënë në fuqi masa e pezullimit nga detyra.

“Ka një karrierë 21-vjeçare. Ka drejtuar 170  operacione shumë të suksesshme, dhe është i interesuar për t’u zbardhur e vërteta. Nuk ka çeduar në asnjë rast. U la në fuqi masa për pezullimin nga detyra për të cilën do të paraqesim ankim. Për shkak të sekretit profesional nuk mund të bëj asgjë publike”, tha avokati Artan Broci.

Sipas avokatit, nuk ka asnjë provë që Shkëmbi ka qenë pronar i një telefoni që ka pasur platformën cryptochat, përmes të cilit dyshohet se ka dekonspiruar operacione të OFL-së dhe ka nxjerrë sekretin hetimor të autoriteteve gjermane, të cilat kanë informacione mbi pasurinë e një grupi të fuqishëm kriminal në vendin tonë.

Artan Shkëmbi dyshohet se ka dekonspiruar të dhëna për një grup kriminal që ishte nën hetim nga autoritetet gjermane. Kjo çështje është duke u hetuar dhe ka të ngjarë që të ketë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë të policisë.

Artan Shkëmbi, ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në Policinë e Shtetit, ndërsa kandidoi edhe për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por nuk arriti të kualifikohet në fazën e testit të poligrafit.

Në shkurt të këtij viti, ai kaloi me sukses testin e vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë