Gazeta Si - Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Firdeus Berberin dhënë më herët në mungesë, duke e lënë atë në qeli pa afat, pasi akuzohet për vjedhje me dhunë, kanosje ndaj dy policëve dhe tentativë vrasjeje, që përfundoi me plagosje.
Ai akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe roli i tij është zbuluar nga dëshmia e Artan Tafanit, i penduar i drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme po e heton atë për dy episode kriminale të rrëfyera nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, edhe ky një ish-anëtar i të njëjtit grup.
Berberi dyshohet të jetë autor i një vjedhje me dhunë të një makine në Durrës në shkurt 2023, ku ka bashkëpunuar me Laert Haxhiun dhe Artan Tafanin, si dhe të kanosjes së dy punonjësve të policisë në zonën e Astirit në prill po të njëjtit vit.
Ai u ekstradua disa ditë më parë nga Greqia për t’u përballur në Shqipëri me disa akuza si pjesë e grupit kriminal të drejtuar sipas SPAK, nga Laert Haxhiu.
Nga ana tjetër ndaj Firdeus Berberit rëndon edhe akuza e “vrasjes me dashje mbetur në tentativë”, pasi plagosi në 2022 Joan Muçllarin, djalin e një biznesmeni në Pogradec. Berberi u arrestua në Greqi bashkë me Laert Haxhiun në maj të 2023 në një kohë kur ky i fundit konsiderohej nga autoritetet shqiptare si një nga 5 më të kërkuarit në vend.
Berberi u arrestua në Greqi bashkë me Laert Haxhiun në maj të 2023 në një kohë kur ky i fundit konsiderohej nga autoritetet shqiptare si një nga 5 më të kërkuarit në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.