Drejtësia

Shtyhet për të tretën herë radhazi vendimi për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës (seanca të shtunën në 12:00)

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë për të shtunën, 30 dhjetor në orën 12:00 seancën për dhënien e vendimit për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Kjo është hera e tretë që GJKKO shtyn seancën për dhënien e masës së sigurisë, për të cilën SPAK ka kërkuar ashpërsim të saj nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie.

“Seanca shtyhet për ditën e shtunë në 30 dhjetor, për t’i dhënë mundësi avokatëve mbrojtës të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues”, njoftoi GJKKO.

Në një prononcim të shkurtër për mediat në përfundim të seancës, avokati mbrojtës i Berishës argumentoi kërkesën për marrjen e provave nga GJKKO.

“Kemi marrë brenda afatit ligjor provat që do të shoqërojnë kërkesën, provat që ne mendojmë se mbështesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Janë ato prova të cilat provojnë njëanshmërinë e gjyqtares”, – tha avokati Gokutaj.

Në seancë Berisha u përfaqësua nga dy avokatët e tij, ndërsa vetë ish-kryeministri doli nga selia e PD rreth orës 15:00 kur ishte njoftuar nisja e seancës dhe shkoi në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Avokatët e Sali Berishës kanë dorëzuar sot kërkesë në gjykatë për marrjen e provave. Mbrojtësit kanë kërkuar audion e seancës dhe procesverbalet për të provuar sipas tyre njëanshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën ata kërkojnë përjashtimin e saj nga kjo çështje.

SPAK kërkon për Berishën “arrest në shtëpi”, ruajtjen te dera me punonjës policie dhe ndalimin e komunikimit të tij me persona të tjerë përveç atyre të deklaruar që jetojnë me të në banesë.

Prokuroria e ka kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë me argumentin se Berisha nuk ka respektuar detyrimin për t’u paraqitur pranë oficerit të policisë gjyqësore.

Ish-kryeministri Sali Berisha është person nën hetim dhe akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizanit. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.

Edhe dje avokatët e Berishës nuk hoqën dorë dhe dorëzuan sërish një kërkesë ku kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Gjoka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë