Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit pranon kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një apartamenti 81.4 m2 të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, në arrest për shpërdorim detyre.
Kundër këtij vendimi, Goro mund të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve. Ish-kryebashkiaku akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.
Ish kryebashkiaku i Himarës është nën hetim pasuror nga SPAK dhe akualisht është vënë me dy masa sigurie në 'arrest në burg'.
SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.
Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës.
Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.
Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.
Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.