Jehona e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të mundjes vazhdon të jetë e lartë. Jo shumë larg në kohë kuqezinjtë morën dy medaljet e para olimpike dhe Federata Shqiptare e Mundjes organizoi 3 evente madhore ndërkombëtare pak muaj më parë. Duke folur për “Gazeta Si”, Presidenti Sahit Prizreni vlerëson impaktin e botërorit U23 dhe Kampionatit Botëror (peshat joolimpike). Gjithashtu ai tregon për impresionet pozitive që FSHM mori për organizimin në Durrës të Kongresit të UWW (Federata Botërore Mundjes). Aktivitete këto që ndikuan në vendimin e saj për ti besuar Shqipërisë organizimin e dy eventeve të rradhës ndërkombëtare.

Sahit Prizreni tregon për një numër rekord pjesëmarrësish në “Ranking Series Muhamet Malo 2025”, eventi i dytë më i rëndësishëm i vitit për UWW. Mjafton të përmendim thotë Prizreni që 10 finalistë dhe 4 kampionë olimpikë do të zbresin për tu ndeshur në Parkun Olimpik, tregon për vlerësimin e treguar nga pjesëmarrësit të cilët janë në rrugën e tyre drejt Tiranës dhe pritet të mbërrijnë nga ora në orë sipas një kalendari të përcaktuar tashmë. Shtete që dominojnë mundjen botërore do të sjellin sportistët e tyre më të mirë në këtë event.

Do të jetë një mundësi reale vlerëson FSHM për mundësit shqiptarë që të përballen me sportistët më të mirë në Botë, nga të cilët do të mësojnë shumë duke filluar që nga procesi stërvitor, përgatitja fizike, psikologjike dhe sjellja e tyre në tapet në turne të tillë kaq të rëndësishëm. “Ranking Series Muhamet Malo 2025” do të pasohet vetëm pak ditë më vonë nga Kampionati Evropian U23. Një tjetër event po kaq i rëndësishëm por me sportistë më të rinj në moshë që aspirojnë të jenë kampionët e ardhshëm të Evropës, Botës dhe Olimpikë.

Për gjithcka sa më lart, Sahit Prizreni falenderon për mbështetjen që FSHM ka marrë nga Bashkia Tiranë, institucioni që i ka qëndruar në krah në tërë eventet ndërkombëtare të organizuara deri tani. Nuk harron të flasë me superlativa për Presidentin e Nderit të FSHM, të ndjerin Muhamet Malo si dhe djalin e tij Enklajd Malo që po i qëndron afër mundjes shqiptare, duke ecur në rrugën e babait të tij, një ndër emrat më të mëdhenj të jo vetëm të mundjes por të mbarë sportit në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




