Futboll

Gjimshiti fiton sfidën e liderëve kuqezi me Ramadanin, Atalanta e tij sheh Europën

Gazeta Si – Berat Gjimshiti dhe Ylber Ramadani, dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, sot ishin përballë njëri-tjetrit me klubet ku luajnë. Atalanta e mbrojtësit dhe kapitenit kuqezi priti Leçen e mesfushorit në një ndeshje, që përfundoi me fitoren 1-0 të bergamaskëve.

Ramadani gjate ndeshjes se sotme me Atalanten. Gazeta Si, 30 dhjetor 2023

Me këtë fitore, falë golit të Lokman në pjesën e dytë, skuadra e Gjimshitit sheh Europën, pasi është ngjitur në vend të 6-të. Ndeshja u vendos nga një e djathtë kirurgjikale e sulmuesit të Atalantës. Më parë Leçes iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, ndërsa Atalanta goditi traversën me Pasaliç në pjesën e parë.

Gjimshiti ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij. Mbrojtësi shtatlartë ka marrë vlerësimin e dytë më të lartë në radhët e Atalantës, duke u vlerësuar me notën 7.9 për paraqitjen e bërë në këtë 90-minutësh. Më shumë u vlerësua vetëm autori i golit të vetëm.

Për Ylber Ramadanin ishte një ndeshje në nivel mesatar. Mesfushori u vlerësua me notën 6.6, ndërkohë që u ndëshkua me karton të verdhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë