Njerez

Gjetan Keta: Boksierët duken të egër por kanë shpirt të mirë. Ëndërr të kthehesha në Shqipëri

Nga Gazeta Si – “Boksi është një shkollë që të mëson të jesh i durueshëm, i vetëdijshëm për gjërat që bën. Nuk është i dhunshëm, është sport dhe shkollë”. Me këtë fjali ‘sqaron’ keqkuptimet në podkastin “T’pa thana” në Gazetasi.al boksieri Gjetan Keta.

Ai tregon se gjithçka që ka arritur, i ka ëndërruar në fëmijëri dhe disiplina e shembulli i mirë që ka pasur në jetë e kanë bërë që të njihet në të gjithë botën.

Ishte filmi famshëm Rocky Balboa që e frymëzoi në rini dhe më pas përgjatë gjithë jetës. Ai e thekson herë pas here se boksi mbi të gjitha është disiplinë.

“Çdokush mund ta bëjë, të heq energjitë negative. Unë nuk e kam pasur këtë durim para boksit”, thotë Keta, duke shtuar se në boks fiton ai që është më i fortë psikologjikisht.

“Ndeshjen e parë e kam bërë me një polic në Greqi, ku shokët e mi më thanë se ai nuk i ka qejf shqiptarët dhe i ngacmon. Më thanë  të bëj kujdes mos do kem probleme me të por trajneri im më tha jo dhe u ndesha. Për 19 sekonda e kam hedhur në tokë. Ishte lumturia më e madhe për mua atëherë”, thotë Keta.

Ai tregon se pavarësisht se dashuria për boksin i ka lindur që i vogël, prindërit e tij kanë qenë kundër, duke e menduar edhe si një sport të dhunshëm.

“Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë kundër boksit, sidomos mami. Babai ka ardhur kur kam bërë ndeshje por ka qenë gjithmonë i ngrirë, duke qenë se as nuk e kupton botën e sportit”.

Në Greqi ai punonte e pas pune ndiqte stërvitjen, deri në momentin që vendosi të shkonte në Gjermani në 2004 që ti përkushtohej përfundimisht boksit.

Bashkë me vëllai e tij Ismaili, i cili ishte edhe trajneri i tij, Keta thotë se kanë punuar fort që të ndërtonin një emër të mirë por edhe që t’u tregonin se shqiptarët ia dalin.

Pasi arriti qëllimet e tij si boksier, Keta vendosi të ndjekë një tjerët rrugë, atë të trajnerit dhe tashmë do presë në akademinë e tij në Tiranë të gjithë të rinjtë që e duan punën dhe kanë disiplinë.

“Boksierët duken të egër por kanë shpirt të mirë. Kam vendosur të kthehem në Shqipëri sepse e kam pasur ëndërr gjithmonë. Në boks kam pasur gjithmonë momente të vështira por kurrë nuk e kam menduar të dorëzohem, këtë dua të bëjnë edhe personat që do bëhen pjesë e akademisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë