Gazeta Si – Lufta mes FIFA-s dhe Gjermanisë në Botërorin e Katarit sa vjen dhe ashpërsohet. Në prag të sfidës vendimtare me Spanjë, trajneri Hansi Flik vendosi të dilte vetëm në konferencë shtypi, duke thyer rregulloren, që parashikon edhe daljen e një lojtari para gazetarëve.
Vendimi i trajnerit lidhet me faktin se ai ka dashur t’ua kursejë lojtarëve të tij udhëtimin nga vendi ku qëndron kombëtarja gjermane te ‘Media Center’ në Doha, ku zhvillohen gjithë takimet me gazetarët. Gjoba për federatën gjermane duket e sigurt.

Gjermania kishte kërkuar që konferenca e shtypit të bëhej në bazën e saj, që është më larg se të gjitha nga kryeqyteti i Katarit, por FIFA ktheu përgjigje negative. “Udhëtimi vajtje-ardhje zgjat 3 orë, – shpjegoi Flik në konferencë. – Ne nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, kështu që lajmërova FIFA-n se do vija vetëm”.
Një episod ky që ndodh në një klimë aspak të qetë mes federatës ndërkombëtare dhe asaj gjermane, pas ndalimit të mbajtjes së shiritit-yler dhe protestës së lojtarëve të Gjermanisë para ndeshjes me Japoninë. Ndaj Spanjës është një ndeshje brenda ose jashtë për gjermanët, pas humbjes së papritur me Japoninë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



