Katar 2022

Gjermania luan sot për të shmangur turpin, por i duhet një dorë nga Spanja

Gazeta Si – Botërori i Katarit jep sot katër bileta të tjera për fazën e 1/8-ve. Nga 8 skuadrat që zbresin sot në fushë, vetëm Kanadaja, që ndeshet me Marokun, është e eliminuar. Vëmendja është e gjitha te Gjermania, që duhet të fitojë me çdo kusht për të shpresuar për kualifikimin.

Skuadrës së Flik, me vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e para në grup, jo vetëm i duhet të mundë Kosta Rikën për ta parakaluar në renditje, por ka nevojë edhe për një nder nga Spanja. Iberikët, që kryesojnë grupin me 4 pikë, duhet të mundin Japoninë për vete, por kështu do të ndihmonin edhe Gjermaninë. Fullkrug, autori i golit ndaj Spanjës, pritet të luajë nga minuta e parë.

Nga ndeshja Gjermani-Spanje, 1-1. Gazeta Si, 1 dhjetor 2022

Trajneri Luis Enrike ka theksuar në konferencë shtypi se skuadra e tij luan vetëm për fitore. Spanja ka qenë bindëse në dy ndeshjet e para dhe sot pritet të bëjë të njëjtën gjë ndaj japonezëve, të cilët surprizuan me fitoren ndaj gjermanëve në ndeshjen e parë.

Kroaci-Belgjikë është një tjetër ndeshje delikate sot, me kroatët të favorizuar, pasi luajnë edhe për barazim. Belgjika vjen në një situatë aspak të mirë në këtë ndeshje, me probleme të brendshme, dhe rrezikon seriozisht eliminimin.

Ndeshjet e sotme
Kanada-Marok (16:00)
Kroaci-Belgjikë
Kosta Rikë-Gjermani (20:00)
Japoni-Spanjë (20:00)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë